Zgjedhjet 2024/ Kufizimet parazgjedhore për zyrtarët!

Qytetarët kanë edhe tri ditë kohë për të kontrolluar listën zgjedhore. Nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve bëjnë thirrje që qytetarët të kontrollojnë dhe nëse është e nevojshme të kërkojnë ndryshim, futje ose fshirje të të dhënave të tyre nga Lista zgjedhore për zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe parlamentare.

Në prag të zgjedhjeve presidenciale më 24 prill, zgjedhjeve parlamentare më 8 maj dhe fillimit të fushatës parazgjedhore, Kodi Zgjedhor parasheh kufizime parazgjedhore për zyrtarët, ndërmarrjet publike dhe shpenzimet buxhetore.

Në periudhën prej 20 ditësh para fillimit të fushatës zgjedhore deri në përfundimin e zgjedhjes së presidentit dhe deputetëve në Kuvend dhe zgjedhjes së Qeverisë, nuk mund të mbahen ngjarje publike me rastin e fillimit të ndërtimit apo vënies në punë të objekteve të ndërtuara me mjete nga Buxheti ose nga fondet publike, ose me mjete të ndërmarrjeve publike ose personave të tjerë juridikë që posedojnë kapital shtetëror.

Gjithashtu nuk është e mundur të bëhen pagesa kompensimi nga mjetet buxhetore apo mjetet publike që nuk janë pagesa të rregullta mujore, as të tjetërsohet kapitali shtetëror apo të nënshkruhen kontrata kolektive. Në institucionet shtetërore dhe publike nuk do të mund të fillojë procedurë për punësimin e personave të rinj apo ndërprerje të marrëdhënies së punës.

Komisioni Antikorrupsion në ueb faqen e saj e publikon regjistrin e mjeteve motorike zyrtare të fondeve publike, ndërmarrjeve publike dhe të gjithë personave të tjerë juridikë që posedojnë kapital shtetëror. Nëse personat juridikë nuk dorëzojnë të dhëna, KSHPK-ja fillon procedurë kundërvajtëse në afat prej 15 ditësh nga skadimi i afatit për dorëzimin e të dhënave. /tvklan.mk/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share