Zgjatet për 120 ditë marrëveshja e drithërave të Detit të Zi

Sulmet me raketa ruse janë raportuar në disa rajone të vendit

Marrëveshja që lejon eksportet e grurit nga Ukraina përmes Detit të Zi do të zgjatet edhe për 4 muaj të tjera. Lajmin e ka bërë të ditur Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres.

“Unë mirëpres marrëveshjen e të gjitha palëve për të vazhduar Iniciativën e Drithërave të Detit të Zi për të lehtësuar lundrimin e sigurt të eksportit të drithërave, produkteve ushqimore dhe plehrave kimikë nga Ukraina”, tha Gueterres në një deklaratë të publikuar në faqen e OKB-së.

Që nga Korriku, rreth 11.1 milion ton produkte bujqësore janë transportuar, duke përfshirë 4.5 milion ton misër dhe 3.2 milion ton grurë. Marrëveshja e Korrikut ka ndihmuar në shmangien e një krize globale ushqimore duke lejuar eksportet përmes porteve që ishin bllokuar nga Rusia .

Menjëherë pas lajmit se marrëveshja e grurit do të zgjatet tregjet kanë reaguar duke bërë që çmimi i drithërave të ulet. Por ndërsa ky lajm i mirë vjen nga Ukraina situata atje mbetet e vështirë. Nga sulmet ruse me raketa gjatë natës kanë mbetur të vdekur 2 persona në rajonin juglindor të Zaporhizhzhia ndërsa , tre janë plagosur në një sulm në qytetin verilindor të Kharkiv dhe tre në Odesa.

Guvernatori i Odesës, Maksym Marchenko, paralajmëroi për kërcënimin e një breshërie masive raketore në të gjithë territorin e Ukrainës.

Për shkak të situatës kritike shumë guvernatorë rajonalë u kanë bërë thirrje banorëve të strehohen .

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share