Zëvendëskryeministrit të Kosovës i ndalohet vizita në Beograd “për shkaqe sigurie”

Zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, i është ndaluar vizita dyditore në Serbi nga Policia e këtij shteti “për shkaqe sigurie”.

Ai është ndaluar nga autoritetet serbe pak para se të arrinte në Beograd.

Këtë e konfirmoi për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i Bislimit, Klisman Kadiu. Pas kësaj, ai është kthyer drejt Kosovës.

Bislimi ishte nisur drejt Beogradit më 27 tetor për të marrë pjesë në dy tryeza diskutimi për çështjet e dialogut Kosovë-Serbi.

Bislimi, që njëherësh është udhëheqës i bisedimeve me Serbinë në nivel të kryenegociatorëve, ishte paraparë të merrte pjesë në diskutimet me temën “Kosova dhe perspektiva evropiane e rajonit”, në kuadër të Forumit për Marrëdhënie Etnike, që mbahet më 27 tetor.

Ai, po ashtu, pritej që të premten të merrte pjesë në Konferencën e Sigurisë së Beogradit dhe do të jetë pjesë e panelit me temën “Kosova dhe Serbia – shmangia e rrugës pa dalje”.

Bislimi ishte nisur drejt Beogradit në ditën e njëjtë kur Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë – dhe zyrtarët në Serbi, paralajmëruan se do të ketë barrikada në veri, nëse pas 31 tetorit, Kosova konfiskon makinat dhe targat serbe.

Nga 1 shtatori deru më 31 tetor, Qeveria e Kosovës ka thënë se serbët në Kosovë mund të pajisen me targat RKS (Republika e Kosovës) për të zëvendësuar targat që Serbia i lëshon për ta.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se këto targa do të mbeten edhe pas 31 tetorit, duke paralajmëruar për “rezistencë” të serbëve. Kosova ka thënë se pas kësaj date, makinat me targat e lëshuara nga Serbia nuk do të mund të qarkullojnë në territorin e shtetit e as të kalojnë kufirin.

Ndryshe, Bislimi kishte vizituar më herët Serbinë. Në shtator, Bislimi, së bashku me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, kishin vizituar komunat në jug të Serbisë, të banuara me shumicë shqiptare.

Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog për normalizimin e raporteve me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian që nga viti 2011. Faktori ndërkombëtar po bën përpjekje që të inkurajojë palët që ta përmbyllin këtë proces. Por, dy shtetet kanë qëndrime të ndryshme sa i përket fundit të procesit. Kosova kërkon që në një marrëveshje përfundimtare të përfshihet edhe njohja reciproke, ndërkaq Serbia kërkon një zgjidhje kompromisi, pa specifikuar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share