Zemërimi rritet në Libi pas katastrofës, stuhia “Daniel” e ka kthyer Dernën në një djerrinë

Të mbijetuarit bëjnë thirrje për ndihmë, stuhia “Daniel” e ka kthyer Dernën në një djerrinë

Udhëtimi i ekipeve të kërkim shpëtimit për në qytetin libian Derna zgjat tani dy herë më shumë.

Shume fshatra tanimë janë rrafshuar, mes tyre edhe tokat bujqësore. Çdo gjë është shkatërruar dhe kërkimi për të zhdukurit është vështirësuar gjithnjë e më shumë, ndërsa shpresat zbehen dita ditës.

Fuqia shkatërruese e ujit ka qenë e jashtëzakonshme. Makinat shtrihen përreth si lodra të ngritura ose të mbështetura me kokë poshtë. Punën e ekipeve të kërkim shpëtimit po e vështirëson edhe era e rëndë që ka përfshirë Dernën dhe jo vetëm për shkak të ujrave të zeza.

Banorët në Derna numërojnë humbjet e tyre nga përmbytjet shkatërruese.

“Kam qenë dëshmitar i gjithçkaje që ka ndodhur nga fillimi deri në fund, që nga momenti i rënies së shiut. Mes viktimave është vëllai im dhe gjithë familja e tij. Këtu, në zonën tonë, ka njerëz që marrin me qira shtëpi, sepse është zonë turistike. Por asgjë nuk ka mbetur këtu, vetëm djerrinë.”

Më shumë se 1000 njerëz janë varrosur në varreza masive, sipas Kombeve të Bashkuara, duke paralajmëruar rrezikun e kontaminimit të ujit.

Për të mbijetuarit, jeta këtu ka ndryshuar përgjithmonë, ka pikëllim të madh dhe zemërim.

“Nuk është e lehtë për një njeri të kalojë këtë. Nuk është e lehtë. Vetëm Zoti e di se çfarë po kalojmë. Askush nuk ju ndihmon. As qeveria nuk na ndihmoi. Ne jemi në qiell të hapur pasi qeveria nuk ka as burime për të ndihmuar. Fatmirësisht, ne libianët jemi një, ndihma erdhën vetëm nga Tripoli, Misrata dhe jugu.”

Numri i të vdekurve nga përmbytjet shkatërruese në qytetin bregdetar lindor të Libisë  është rritur në të paktën 11,300, sipas një raporti të OKB-së. Më shumë se 40,000 njerëz janë zhvendosur në të gjithë Libinë verilindore që nga reshjet ekstreme të shiut që solli stuhia “Daniel”.

Ekspertët thonë se përmbytjet shkatërruese erdhën si shkak i shumë faktorëve që lidhen me infrastrukturën e shkatërruar, paralajmërimet e pamjaftueshme nga autoritetet për motin e keq dhe efektet e përshpejtimit të krizës klimatike.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share