Presidenti i Ukrainës Volodimir Zelensky u ka bërë thirrje trupave të ushtrisë ruse që të largohen nga territori ukrainas dhe të kthehen në shtëpitë e tyre nëse duan të mbijetojnë.
Thirrja e Zelenskyt në orët e vona të së hënës vjen teksa Ukraina nisi një kundërofensivë në qytetin e Khersonit.
Zelensky u zotua se do ta ndjekë ushtrinë ruse deri në kufi.
“Nëse duan të mbijetojnë, është koha që ushtria ruse të ikë. Shkoni në shtëpi. Ukraina po rimerr territoret e saj”, tha Zelensky.
Autoritetet ukrainase bëjnë të ditur se ushtria e tyre ka shpërthyer mbrojtjen e ushtrisë ruse në Kherson dhe kanë rimarrë territorin, ndërsa Rusia i hodhi poshtë këto pretendime dhe tha se sulmi kishte dështuar. /tvklan.al