Zelensky thotë se po arrihen objektivat në Kursk, Rusia: S’jemi gati për bisedime të paqes!

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se forcat e vendit të tij janë “duke i arritur objektivat e tyre” në rajonin Kursk të Rusisë, ndërsa një ndihmës i Kremlinit ka thënë se Moska nuk është e gatshme për bisedime të paqes me Ukrainën.

Në një shkrim të publikuar të hënën në rrjetin “Telegram”, Zelensky gjithashtu tha se ka dëgjuar në raport nga komandanti i ushtrisë ukrainase, Oleksandr Syrskyi, i cili ka thënë se më shumë ushtarë rusë janë kapur, raporton televizioni BBC.

Në anën tjetër, një ndihmës i praesidentit rus, Vladimir Putin, ka thënë se Rusia nuk është e gatshme për të zhvilluar bisedime të paqes me Ukrainën.

Ndihmësi i politikës së jashtme, Yuri Ushakov, ish-ambasador, ka thënë se Rusia nuk do të tërhiqet nga propozimet e saj të mëhershme për paqe, por se sulmi ukrainas në rajonin Kursk nënkupton që mbajtja e bisedimeve të paqes për momentin do të ishte “jo e duhur”, sipas agjencisë “Reuters”.

Në qershor të këtij viti, Putini i kishte paraqitur kushtet e tij për armëpushim, duke thënë se Ukraina duhej t’i tërhiqte trupat nga territoret ukrainase që Rusia pretendon se i ka aneksuar.

Propozimi ishte hedhur poshtë nga Ukraina, që planin e kishte cilësuar “ultimatum si i Hitlerit” dhe ishte dënuar gjerësisht nga udhëheqësit evropianë gjatë një samiti të paqes në Gjenevë, ku Rusia nuk ishte e ftuar për të marrë pjesë.

Presidenti ukrainas ka thënë se vendi i tij nuk do të bisedojë me Moskën pa u tërhequr të gjitha forcat ruse nga territori ukrainas, përfshirë Krimenë, gadishull që ndodhet nën pushtimin rus që nga viti 2014.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share