Zelensky: Sulmi në qendrën tregtare është akt terrori

Të paktën 18 persona kanë vdekur si pasojë e sulmeve ruse me raketa në një qendër tregtare në qytetin ukrainas Kremençuk në pasditen e së hënës.

Rreth 60 persona janë të plagosur, dhe rreth 36 të tjerë janë të zhdukur, ka thënë guvernatori rajonal, Dmytro Lunyn.

Sipas tij, qendra tregtare është “shkatërruar plotësisht” nga sulmet. Autoritetet kanë thënë se rreth 1,000 persona kanë qenë brenda objektit kur ka ndodhur sulmi.

Ukraina ka fajësuar Rusinë për sulmin, duke thënë se raketat ajër-tokë janë nisur nga bombardueset në largësi, Tu-22.

Rusia ka bombarduar edhe Harkivin, qytetin e dytë më të madh në Ukrainë, duke goditur objekte banesore dhe një shkollë fillore, kanë thënë autoritetet.

Sipas tyre, bombardimet kanë lënë të vdekur pesë persona dhe kanë plagosur 22 të tjerë, përfshirë fëmijë. Forcat ruse kanë vazhduar të sulmojnë edhe Lisiçanskun në rajonin e Donbasit.

Udhëheqësi rajonal i administratës ushtarake Serhiy Hayday, ka thënë se forcat ukrainase kontrollojnë ende Lisiçanskun, mirëpo që humbja e tij është e mundshme, pasi Rusia ka shtuar përforcime në luftë.

Pas sulmit në Kremençuk, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, e ka akuzuar Rusinë se është “organizata më e madhe terroriste në botë”.

“Secili në botë duhet ta di që blerja apo transportimi i naftës ruse, lidhjet me bankën ruse, dhe kryerja e pagesave për shtetin rus, nënkupton dhënie të parave për terroristët”, ka thënë ai përmes një postimi në Telegram.

Pavarësisht fakteve për të kundërtën, Rusia vazhdon të deklarojë se nuk shënjestron civilët.

Liderët e grupit të shtatë vendeve më të industrializuara (G7) e kanë quajtur sulmin si krim lufte dhe janë zotuar se do ta mbajnë presidentin rus Vladimir Putin si përgjegjës.

Ky grup përbëhet nga: Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca, Italia, Kanadaja dhe Japonia.

Kryeministri britanik Boris Johnson, ka thënë se sulmi në Kremençuk demonstron “thellësinë e mizorive dhe barbarizmit” të Putinit.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken, ka thënë se bota është “tmerruar” nga sulmi, duke e konsideruar atë si një tjetër mizori. Kremençuk është qytet industrial me mbi 200,000 banorë. Në të gjendet rafineria më e madhe e naftës në Ukrainë.

Presidenti rus Vladimir Putin ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 Shkurt. Ai e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën. Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra./REL

Lexo gjithashtu
Total
0
Share