Udhëheqësit synojnë të vendosin sanksione të reja ndaj Moskës, mbështetje financiare për Kievin
Udhëheqësit e G7 po mbajnë takimin e tyre vjetor në Hiroshima, Japoni. Për herë të parë në një takim të tillë do të marrë pjesë fizikisht Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky.
Zyrtarët ukrainas janë shprehur se prania e tij është shumë e rëndësishme dhe thelbësore për të mbrojtur interesat e vendit. Ukraina është në krye të axhendës pasi SHBA si dhe një sërë vendesh të tjera kërkojnë sanksione të reja ndaj Rusisë.
Në një deklaratë në ditën e parë të samitit, udhëheqësit riafirmuan angazhimin për të qëndruar së bashku kundër agresionit.
“Ne po rinovojmë angazhimin tonë për të ofruar mbështetjen financiare, humanitare, ushtarake dhe diplomatike që kërkon Ukraina për aq kohë sa duhet”, u shprehën liderët.
Në këtë samit Kievi do të ripërsërisë thirrjen për avionë luftarakë modernë të prodhuar nga SHBA. Në samitin e Hiroshimës do të ketë gjithashtu diskutime mbi ndryshimet klimatike, sigurinë ushqimore, shëndetin dhe çarmatimin bërthamor.
Klan News