ZYRTARET EUROPIANE KANE VEZHGUAR PRANINE E NENDETESVE RUSE NE AFERSI TE RRJEDHJEVE TE NORD STREAM
Autoritetet suedeze kanë zbuluar rrjedhjen e katërt në tubacionin e madh nënujor që transporton gaz natyror rus në BE. Zyrtarët evropianë të sigurisë kanë vëzhguar disa anije mbështetëse të marinës ruse në afërsi të tubacioneve që mund të jetë një ndër faktorët kryesorë për shpërthimet. Shkencëtarët kanë frikë se shpërthimi i metanit mund të jetë një nga rrjedhjet më të këqija të gazit natyror dhe mund të paraqesë rreziqe të konsiderueshme klimatike.
Suedia ka gjetur një rrjedhje të re në tubacionin e madh nënujor që transporton gaz natyror rus në BE duke e bërë atë të katërtin e zbuluar këtë javë.
Danimarka dhe Suedia raportuan rrjedhje gazi në tubacionet Nord Stream 1 dhe 2 në fillim të kësaj jave, duke rritur mundësinë e një sulmi të qëllimshëm. BE-ja fajësoi sabotimin por nuk e drejtoi gishtin drejtpërsëdrejti nga Rusia.
“Dy nga këto katër janë në zonën ekskluzive ekonomike të Suedisë,” tha zëdhënësja e rojes bregdetare Jenny Larsson. Rrjedhja e katërt ishte në tubacionin Nord Stream 2, sipas autoriteteve bregdetare suedeze.
Ministria e Jashtme e Rusisë ka bërë të ditur se rrjedhjet në tubacionet Nord Stream në brigjet e Danimarkës dhe Suedisë ndodhën në territorin që është “plotësisht nën kontrollin” e agjencive të inteligjencës amerikane. Asnjëri tubacion nuk ka qenë duke u përdorur në kohën e shpërthimeve të dyshuara, mirëpo ato kanë qenë të mbushura me gaz që është duke u derdhur në Detin Baltik.
CNN raporton se zyrtarët evropianë të sigurisë vëzhguan disa anijet mbështetëse të marinës ruse në afërsi të rrjedhjeve në tubacioneve Nord Stream.
Është e paqartë nëse anijet ruse kanë ndonjë lidhje me këto shpërthime, por konfirmuan se është një nga shumë faktorë që hetuesit do të shqyrtojnë. Nëndetëset u vëzhguan gjithashtu jo shumë larg zonave ku ka ndodhur dëmtimi i tubacioneve. Tre zyrtarë amerikanë thanë se SHBA-të nuk kanë ende një shpjegim të plotë për atë që ndodhi.
Shkencëtarët kanë frikë se shpërthimi i metanit nga tubacionet e Rrjedhës së Veriut në Detin Baltik mund të jetë një nga rrjedhjet më të këqija të gazit natyror ndonjëherë dhe mund të paraqesë rreziqe të konsiderueshme klimatike. Dy tubacionet e Nord Stream, përmbanin gaz natyror që përbëhet nga metani një gaz serrë që është shkaku më i madh i ngrohjes së klimës pas dioksidit të karbonit. Nord Stream 2 thuhet se përmbante 300 milion metra kub gaz kur Berlini ndaloi procesin e certifikimit pak para se Rusia të pushtonte Ukrainën.
GAZETARE: LIVIA KALLFA