Është zbuluar edhe identiteti i viktimës së dytë në aksidentin tragjik në Itali ku humbi jetën edhe DJ me origjinë shqiptare nga Kosova, Hysni Qestaj. Ajo është 21-vjeçarja Anna Kraevskaya, një modele ukrainase. Pavarësisht se testi i ADN-së nuk është kryer ende, nuk ka dyshime se ishte ajo që udhëtonte së bashku me Qestajn, i cili njihej edhe si Dj Style Q. Makina tip Ferrari që drejtohej nga 40-vjeçari u përplas me barrierat mbrojtëse dhe në fund shpërtheu në flakë. Shkak dyshohet se është bërë shpejtësia e madhe që udhëtonte ai, që sipas mediave italiane ka qenë deri në 200 kilometra në orë.
Ajo që i ndihmoi autoritetet të identifikonin trupin e pajetë ishte denoncimi i miqve të 21-vjeçares. Ata kishin shkuar në policinë në Zvicër, aty ku modelja jetonte për të thënë se ajo ishte zhdukur. Brenda 48 orësh autoritetet zviceriane kanë komunikuar me homologët italianë ku i kanë dhënë emrin dhe mbiemrin. Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e 31 Marsit menjëherë pasi kishin kaluar një tunel.
Në drejtimin e makinës ishte Dj Hysni Qestaj, ndërsa vajza në sediljen e pasagjerit. Të dy humbën jetën menjëherë në vendin e ngjarjes. Sipas hipotezave të publikuara nga mediat italiane, por që duhet të konfirmohen, të dy mendohet se janë takuar në një klub nate në Sion, aty ku 40-vjeçari ka performuar gjithë natën para aksidentit tragjik. Po ashtu dyshohet se për humbjen e kontrollit të makinës mund të ketë ndikuar lagështia e rrugës dhe një hutim i shoferit. Siç shkruan Il Messaggero të dy kishin vetëm një detaj të dukshëm, nga një orë floriri që e mbanin secili.
Hysni Qestaj ishte nga Juniku i Kosovës, por kishte edhe nënshtetësi zviceriane ku edhe jetonte. Ai ishte i martuar dhe kishte dy fëmijë të cilët janë në Kosovë. Trupi i tij i pajetë u identifikua pak orë pas aksidentit nga një prej vëllezërve të tij, i cili shkoi në vendin e ngjarjes./tvklan.al