Pritet të nënshkruhen tre marrëveshje mes liderëve të rajonit
Me ftesë të Kancelarit Federal Olaf Scholz, të enjten më 3 Nëntor 2022 në Kancelarinë Federale do të zhvillohet një takim i nivelit të lartë si pjesë e “Procesi i Berlinit” për Ballkanin Perëndimor. Kancelari Scholz do të hapë si mikpritës samitin në orën 09:15.
Pjesëmarrës në procesin e Berlinit që nga viti 2014 janë krerët e qeverive të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, Presidentja e Komisionit Evropian Ursula Von Der Leyen, Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel si dhe përfaqësues të organizatave rajonale dhe ndërkombëtare.
Annalena Baerbock: Shumë prej jush janë dëshmitare të luftrave që përfshinë Ballkanin Perëndimor 20 vite më parë. Pajtimi kërkon kohë, integrimi evropian kërkon kohë por unë jam e bindur se së bashku mund ta ndërtojmë këtë të ardhme evropiane. Shoqëria civile do të mbetet në qendër te Procesit të Berlinit. Jemi të bashkuar për të njëjtin qëllim. Duam qe ti anëtarësojmë shtetet tuaja ne BE.
Tv Klan News ka zbardhur agjendën e samitit të Berlinit ku në dy sesione pune do të diskutohet për krijimin e një tregu të përbashkët rajonal si dhe bashkëpunimin në sektorin e energjisë.
Liderët e rajonit do të nënshkruajnë tri marrëveshjet që parashikojnë lëvizjen e lirë me karta identiteti, njohjen e diplomave universitare dhe njohjen e kualifikimeve për tre profesione: mjekët, dentistët dhe arkitektët.
Për këto marrëveshje liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor kishin rënë dakord që në samitin e Sofjes, në Nëntor të vitit 2020, asokohe nën ish-kancelaren Merkel. Ato mbetën të paimplementuara për shkak të mungesës së vullnetit politik të Kosovës dhe Serbisë.
Kosova ngulte këmbë që ajo të merrte pjesë në këto marrëveshje si Republikë e Kosovës, gjë që nuk e pranonte Serbia derisa u zgjodh një gjuhë diplomatike e atillë, që u pranua si nga Kosova, ashtu edhe Serbia.
Klan News