Në fund të majit të vitit 2020, i akuzuari për krime Veljko Belivuk pretendoi se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po përndiqte anëtarët e grupit kriminal “Skaljarci” për shkak se Filip Koraq kishte tentuar ta vriste.
Ai gjithashtu tha se autoritetet e Serbisë, sipas një raporti, e kishin paralajmëruar Vuçiqin se djali i tij ishte në rrezik nga kjo grup kriminale, raportojnë mediat malazeze “vijesti”.
Belivuk gjithashtu theksoi se “Danilo i vogël” (duke iu referuar djalit të presidentit Vuçiq) kishte një marrëdhënie të mirë me ta prej shtatë vitesh dhe se ata përmes tij kishin kontakte të mira.
Këto komente Belivuk i bëri në një bisedë grupore në aplikacionin Sky, duke iu përgjigjur njërit prej udhëheqësve të klanit “kavač”, Milan Vujotiq, i cili përdorte pseudonimin “Amico”.
Vujotiq kishte pyetur nëse lufta mes Vuçiqit dhe ish-ministrit serb të Punëve të Brendshme, Nebojsa Stefanoviq, kishte lidhje me Koraçin.
Në bisedë, Belivuk konfirmoi se Vuçiq dhe Stefanoviq ishin në konflikt dhe shtoi se ndasitë kishin filluar për çështje biznesi, përfshirë firmën GIM dhe rastin Jovanjica.
Belivuk theksoi se as ai dhe as grupi i tij nuk ishin të lidhur me ndonjë politikan specifik, për të shmangur rrezikun e “braktisjes” nga ata.
Biseda më tej përfshinte komente për lidhjet mes grupit të Belivuk dhe figurave të tjera kriminale dhe politike, ku ai dhe bashkëpunëtori i tij, Marko Miljkoviq, nënvizuan mungesën e guximit të politikanëve për t’u përballur me situatat e ndërlikuara.
Në bisedë u përmendën gjithashtu personazhe të tjerë të skenës kriminale dhe politike në Serbi dhe Kosovë, duke përfshirë Zvonko Veselinoviq dhe Milan Radoiçiq, të cilët u përshkruan si të pabesueshëm dhe të korruptuar.
Kush është Filip Koraç?
Filip Koraq është bashkëpunëtor i ish-udhëheqësit të klanit kriminal të Zemunit, Luka Bojoviq. Mediat serbe raportuan vitin e kaluar se Franca e akuzon atë për drejtimin e një grupi kriminal që merrej me trafik droge dhe armësh, si dhe me pastrim parash në atë shtet.
Ai u arrestua në fillim të tetorit të vitit të kaluar në Hungari, gjatë një operacioni ku u arrestuan gjithsej 13 persona në Francë dhe gjashtë të tjerë në Monaco.
Mediat serbe më parë kanë shkruar se Koraq është nën hetim për trafik droge jo vetëm në Francë, por edhe në Bosnjë dhe Hercegovinë.
Sipas raportimeve, grupi kriminal që ai mori në drejtim pas arrestimit të Bojoviq në Spanjë ka qenë pjesë e një lufte shumëvjeçare në botën e krimit të organizuar ballkanik.
Aleat i tij, sipas mediave, ishte klani “Skaljarski”, ndërsa armiku kryesor ishte grupi i udhëhequr fillimisht nga Aleksandar Stankoviq, i njohur si Sale Mutavi, e më pas nga Veljko Belivuk, i cili kishte lidhje të ngushta me klanin “Kavaçki”.
Prokuroria e Serbisë, gjatë hetimit kundër grupit kriminal të Veljko Belivuk, ka zbuluar se ky klan kishte planifikuar ta vriste Filip Koraq. /Telegrafi/