JOTOVA: PRESION NGA PARTENRËT EVROPIANË, POR S`KA REZULTATE NGA SHKUPI
Interesi i Rusisë është që ta pengojë Ballkanin të stabilizohet dhe t’i afrohet BE-së dhe NATO-s, vlerëson analisti amerikan Eduard Xhozef, duke shtuar se bllokada nga ana e Sofjes për Maqedoninë e Veriut është në dobi të interesave të Moskës. Në intervistë për “Zërin e Amerikës” Xhozef thotë se gjendja në Ballkan është përkeqësuar pas luftës në Ukrainë dhe për këtë arsye SHBA-të duhet të reagojnë edhe një herë, sepse Bashkimi Evropian nuk mund të arrijë përparim në rregullimin e pozicioneve, raporton KlanMacedonia.
Eduard Xhozef profesori universitar amerikan i cili për dekada me rradhë i ndjek zhvillimet në Ballkan, bllokadën bullgare në rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut e quan “manovrim antidemokratik dhe prorus të Bullgarisë”, duke shtuar se BE-ja në samitin në fund të muajit qershor do të marrë vendim për dalje eventuale nga kjo situatë.
“Kjo bllokadë bullgare është shumë pozitive për Rusinë. Interesi i Rusisë është ta pengojë Ballkanin të ecë drejt stabilitetit, drejt BE-së dhe drejt NATO-s.” – tha Eduard Xhozef, profesor në SHBA.
Bllokada nga ana e Sofjes i ndihmon Serbisë t’i kundërshtojë vendimet e bashkësisë ndërkombëtare, shton Xhozef.
“Serbia është në anën ruse dhe kjo Beogradit i jep pushtet që publikisht ta sfidojë vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë ose të arrijë marrëveshje për Kosovën kur nuk ka udhërrëfyes të qartë për anëtarësim në BE, siç është rasti me Maqedoninë e Veriut dhe me Shqipërinë, të cilat kanë ngecur për shkak të vetos bullgare.” – th Xhozef.
Përndryshe zëvëndës Presidentja bullgare Ilijana Jotova pranon se Sofja zyrtare është nën presion ndërkombëtar në lidhje me temën Maqedonia e veriut, por shpreh kënaqësinë që është kthyer optimizmi i Kryeministrit Kiril Petkov për zgjidhje të shpejtë.
“Kjo do të thotë se vetë Qeveria u tërhoq pas. Përndryshe po, vazhdojnë thirrjet telefonike rreth pozicionit bullgar dhe vetos për anëtarësim të RMV-së. Është koha që të jemi të sinqertë dhe të themi se ka presion nga partnerët tanë evropianë, edhe pse formacione politike në Qeveri për një kohë të gjatë nuk e kanë pranuar këtë.” – deklaroi Ilijana Jotova, zv/presidente, Bullgari.
Jotova i ka përsëritur fjalët e Presidentit bullgar Rumen Radev se për momentin nuk ka rezultate të dukshme nga ana e Maqedonisë së Veriut, për plotësimin e obligimeve nga Marrëveshja për fqinjësi të mirë. /KlanMacedonia/