Oda e mjekëve: Të ruhet dinjiteti i pacientëve
Një video “live” në rrjetin social “tik tok” e bërë nga një anestezilog nga Tetova, shkaktoi tension në rrjet dhe reagime të ashpra në opinion. Pamjet e publikuara nga salla e operacionit ku duken pacientet, gra shtatëna që i nënshtrohen procesit të lindjes përmes prerjes cezariane u cilësuan si cënim i rëndë i privatësisë.
Rasti është denoncuar në polici në orët e vona të mbrëmjes së kaluar nga drejtori i Spitalit të Tetovës, Pëllumb Vela, ndërsa menjëherë pas denoncimit, policia e ka ndaluar në stacion anesteziologun 43 vjeçar.
“Më 14.04.2023, në ora 23:40, në Odri të Tetovës, zyrtarët policorë të SPB Tetovë kanë ndaluar personin V.D. (43), duke vepruar pas raportimit të P.V., drejtor i Spitalit Klinik të Tetovës, se V.D., i punësuar si anesteziolog në këtë spital, ka filmuar dhe publikuar përmes rrjetit “Tik Tok” stafin mjekësor dhe pacientët të cilëve iu është ofruar ndihma mjekësore”, thonë nga MPB.
Rasti është dënuar rëndë edhe nga Oda e Mjekëve të Maqedonisë prej ku thonë se mjekët janë të obliguar ta kryejnë profesionin me ndërgjegje dhe përgjegjësi, duke e ruajtur dinjitetin dhe të drejtat e pacientit.
“Kërkesa për respektimin e të drejtave të veta nis nga respektimi i të drejtave të të tjerëve, në këtë rast të të drejtave të pacientëve, prandaj në një kohë sa më të shkurtër do të thirren organet e Dhomës për ta shqyrtuar rastin dhe për të ndërmarrë veprime dhe masa”, thonë nga Oda e mjekëve të Maqedonisë.
Rastin e dënuan edhe figura të shumta publike, mjekë e qytetarë, ndërsa për të njëjtin është njoftuar edhe prokurori publik./KlanMacedonia