Fetahu e quan ndërtesë, Bajrami e cilëson skandaloze deklaratën e Reisit
Bashkësia Fetare Islame funksionon në mënyrë të përsosur, e ky stabilitet i BFI-së, i pengon dikujt, deklaroi kreu i këtij institucioni, Shaqir Fetahu në Klan Debat.
“13 myftini si shtylla të BFI-së funksionojnë në mënyrë të përsosur. Ju i shihni edhe aktivitetet që bëhen pa ndërprerë, janë të lirë të veprojnë me aktivitete të ndryshime. Të mbrojnë institucionin, të mbrojnë islamin nga idetë e dyshimta që mund ta vijnë nga jashtë ose nga brenda… Por ja që disa institucione ju pengon, institucione të fshehura, ju pengon uniteti i BFI-së. Stabiliteti në përgjegjësi, lëvizja komode e BFI-së, arrijnë që të gjejnë individi të cilët dëshirojnë me idetë e tyre të zymta dhe të shëmtuara dhe të dyshimta të marrin një farë lloje regjistrimi por nuk kanë kurrfarë efekti”, tha Shaqir Fetahu, kryetar i BFI-së.
Ai publikisht denoncoi se vetëm një xhami nuk e ka aminin e BFI-së dhe është jo legjitime.
“Momentalisht ne, krejt xhamitë i kemi nën patronatin e Bashkësisë fetare islame në Republikën e Maqedonisë së veriut. Vetëm një ndërtesë, ajo ndërtesë sepse nuk është legjitime si xhami, në qytetin e Kumanovës por ne i kemi bërë të gjitha veprimet dhe ne kërkojmë nga ata njerëz që një ndërtesë e kanë bërë si xhami, ti kthehen familjes së tyre që mos të ngelin vetë sepse Bashkësia islame është një fortifikatë e fuqishme morale, fetare e kështu me radhë. Duhet të jenë në mesin e shokëve të tyre, në mesin e Bashkësisë fetare islame sepse BFI është busulla dhe garancia kryesore e Islamit burimor në këtë shoqëri ku ne jetojmë”, deklaroi Fetahu.
E kjo deklaratë e irritoi imamin e xhamisë së madhe të Kumanovës. Ai përmes një postimi në rrjetet sociale, deklaratën e Fetahut e quajti skandaloze.
“Në qoftë se xhamia është e tillë, atëherë pse ai është aq shumë i interesuar që ta ketë në pronësi të vet. Athua mos vallë ka dëshirë që ta përvetësojë si vakëf këtë “ndërtesë” e që pastaj (ashtu siç ka qenë i akuzuar ish kreu i BFI-së, lideri shpirtëror i tij, prej disa gazetarëve dhe portaleve) që ta përdorë si hipotekë që të ketë përfitime materiale që ndoshta do ta nxirrnin prej krizave financiare? Apo mbase këtë “ndërtesë” do ta shndërronte në hotel apo motel për përfitime materiale. Ne i bëjmë apel që po qe se është i sinqertë në thirrjet e tij për negociata dhe bashkëpunim, fillimisht në shenjë pajtimi ai ta pranojë statusin të cilin e meriton Xhamia e Madhe në Kumanovë si xhamitë tjera në RMV”, thuhet në reagimin e Sadullah Bajramit.
Ekipi i Klan Maqedoni, vizitoi Xhaminë e madhe në Kumanovë gjatë namazit të drekës. Aty gjetëm besimtarë që kryenin obligimet fetare. Imami Bajrami për arsye shëndetësore nuk doli të flas para kamerës sonë, por kushtet që i ofron kjo xhami për besimtarët, nuk krahasohen aspak me xhamitë tjera në vend. Besimtarët që përkujdesën për xhaminë, thanë që nuk janë të interesuar që të krijojnë zhurmë për këtë çështje pikërisht në muajin e shenjtë të Ramazanit./KlanMacedonia