Xhaferi: Partitë në kohë të dakordohen për terminin e zgjedhjeve

“8 MAJI DATA E VETME KUR MUND TË MBAHEN DY PALË ZGJEDHJE, POR SHTETI MUND TË MBETET PA PRESIDENT”

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi u ka bërë thirrje partive politike që në kohë të dakordohen për terminin e mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare të vitit të ardhshëm, me qëllim që të respektohen afatet ligjore dhe kushtetuese.

Ai tha se, deri në vitin e ri duhet të ketë konsensus sa i përket zgjedhjeve presidenciale. Sipas Xhaferit, më së voni zgjedhjet presidenciale mund të mbahen më tetë maj, megjithatë kjo sipas tij, përmban rrezik, pasi nëse ka ankesa sa i përket zgjedhjeve, shteti mund të mbetet pa kryetar.

Gjithsesi, Xhaferi tha se do të respektojë vendimin e partive politike, por përgjegjësia do të jetë e tyre nëse eventualisht nuk zgjedhet kryetari i shtetit.

“Nuk kam ndërmend të thërrasë askënd, ndërsa ata duhet të jenë të përgjegjshëm për këtë çështje dhe të më informojnë. Përgjegjësia ime është që të shpallë zgjedhje në terminin e rregullt. Zgjedhjet presidenciale nuk mund të jenë të jashtëzakonshme. Zgjedhjet presidenciale më së herët mund të mbahet më 14 mars, ndërsa më së voni më 8 maj. Nëse rrethi i dytë i zgjedhjeve presidencial mbahet më 8 maj, mund të mbesim pa president të shteti nëse ka procedurë ankimore, përkatësisht nëse ka rivotim në disa vendvotime të cilat do të ndikonin në rezultatin e zgjedhjeve” – tha Talat Xhaferi, kryeparalmentar.

Në lidhje me zgjedhjet parlamentare kryeparlamentari tha se për këtë ka procedura dhe afate të tjera dhe ka kohë deri në shkurt apo mars.

“Tetë maji është data e vetme në të cilën mund të ketë zgjedhje të dyfishta në terminin e rregullt, përkatësisht rreth të dytë të zgjedhjeve presidenciale dhe zgjedhje parlamentare. Por, tetë maji është datë kritike sepse mund të mbesin pa president shteti dhe zgjedhjet të duhet të përsëriten” – tha Talat Xhaferi, kryeparalmentar.

Sipas afateve ligjore, inaugurimi i shtetit të shtetit duhet të jetë më 12 maj 2024, kur përfundon mandati i shefit aktual të shtetit. Zgjedhjet presidenciale mbahen në 60 ditët e fundit të mandatit aktuale. Që të respektohen afatet, zgjedhjet mund të mbahen më së herët më 14 mars dhe më së voni më 5, përkatësisht 8 maj.

Sa i përket zgjedhjeve parlamentare, ato mbahen në 90 ditët e fundit të mandatit aktual të deputetëve i cili përfundon më 4 gusht. Sipas kësaj, zgjedhjet mund të mbahen më së herët më 5 maj dhe më së voni më 15 korrik. /KlanMacedonia/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share