Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, sot vizitoi Parkun Nacional të Malit Sharr. Gjatë vizitës së sotme, Kryeministri realizoi takim me punonjësit dhe drejtorin e Parkut Nacional, Ibrahim Dehari.
Mali i Sharrit është parku i katërt nacional në shtet, dhe i pari i shpallur në Republikën e pavarur të Maqedonisë së Veriut. Me shpalljen e Malit Sharr për Park Nacional, përveç që u mundësua mbrojtja ligjore e këtij thesari të madh natyror për vendin tonë, gjithashtu Maqedonia e Veriut i përmbushi kërkesat e dy instrumenteve më të rëndësishme të BE-së për mbrojtjen e biodiversitetit.
Parku Nacional “Mali i Sharrit” tani hap mundësi të reja jo vetëm për mbrojtjen e mjedisit natyror, por edhe për përfitime socio-ekonomike. Mali Sharr është i pasur me vlera kulturore dhe tradicionale. Në Parkun Nacional janë të përfshirë 30 fshatra, ku jetojnë rreth 2000 banorë, ndërsa me mbrojtjen e malit mundësohet zhvillimi i rajonit dhe përmirësimi i jetës së popullsisë vendase.
Kryeministri Xhaferi tha se Mali i Sharrit ofron mundësi për zhvillimin e inovacioneve në turizëm, përmirësimin e kushteve për turizmin veror dhe dimëror, si dhe krijimin e një përmbajtjeje turistike që do të bashkojë potencialet e kësaj zone.
Rajoni i Malit Sharr mund të shfrytëzohet për përmbajtje të reja dhe oferta turistike që do të siguronin zhvillimin e turizmit për fëmijë, turizmit mjekësor, turizmit sportiv dhe turizmit për kategoritë më të moshuara të qytetarëve.