Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, së bashku me ministren e Kulturës, Bisera Kostadinovska Stojçevska, sot gjatë vizitës së punës në Manastir, i vizituan IN “Instituti dhe Muzeu” dhe Muzeun e Alfabetit Shqip. Kryeministri e vizitoi edhe Dhomën përkujtimore të Mustafa Kemal Ataturkut, si dhe Ekspozitën e përhershme të muzeut, në të cilën janë vendosur mbi 2000 objekte muzeore të periudhave të ndryshme kohore. Në kuadër të saj janë ekspozuar objekte që i përkasin koleksioneve arkeologjike, etnologjike, historike, si dhe koleksioneve të artit bashkëkohor.
Gjatë vizitës në “Muzeun e Alfabetit Shqip”, Kryetari i Qeverisë, Xhaferi, e pa ekspozitën e instaluar mobile digjitale të përbërë nga 51 fotografi, të realizuara me teknologjinë më moderne, ku janë prezantuar njerëzit që kanë kontribuuar në zhvillimin e alfabetit shqip ndër shekuj, fotografi të personave-pjesëmarrës të Kongresit të Manastirit të mbajtur në Manastir dhe 58 dokumente në vitrinat muzeore. Ekspozita mobile ose digjitale përbëhet nga një pëlhurë e ndriçuar me dy monitorë. Në vitrinat muzeore gjenden dokumente që kanë një rëndësi të madhe dhe janë dëshmi e alfabetit shqip ndër shekuj.
Kryeministri, në dy institucionet muzeore bisedoi me punonjësit, për kushtet për punë dhe aktivitetet në drejtim të bashkëpunimit vendor dhe ndërkombëtar. Kryetari i Qeverisë, Xhaferi, theksoi se mesazhet kulturore që i dërgojnë këto dy institucione të rëndësishme shtetërore janë të një rëndësie të madhe për Maqedoninë e Veriut. Ai sugjeroi se Instituti dhe Muzeu në Manastir dhe Muzeu i Alfabetit Shqip, janë të një rëndësie të jashtëzakonshme për ndërtimin e jetës multikulturore të vendit./tvklan.mk