Xhaferi: Infrastruktura më e mirë shkollore është investim në mbajtjen në jetë të mjediseve rurale

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, sot në suazat e vizitës së punës në Komunën e Çashkës, vizitoi tre shkolla fillore të këtij rajoni. Kryeministri, gjatë vizitës theksoi se për Qeverinë është me rëndësi të madhe që shkollat në mjediset rurale të qëndrojnë, a me investimin në infrastrukturën shkollore mbahen në jetë këto vendbanime.

Në Shkollën Fillore Rajonale “Petar Pop Arsov” në fshatin Sogle, mësimi zhvillohet në gjuhën maqedonase, ndërsa Kryeministri e vizitoi edhe objektin e ri shkollor ku mësimin e ndjekin edhe  fëmijët e fshatrave përreth. Kryetari i Qeverisë, Talat Xhaferi, gjatë vizitës së shkollës ”Todor Janev”, ku ka paralele maqedonase dhe shqipe, theksoi se prej vitit të ardhshëm, është në plan formimi i shkollës së re, me çka do të mundësohet që mësimi të zhvillohet në institucione të ndara fizikisht.

Në deklaratën e vet, Kryeministri informoi se “Është në rrjedhë procedura për zgjidhjen e nevojave hapësinore për formimin e shkollës së re në gjuhën shqipe dhe me këtë faktikisht do të mundësohet që vitin e ardhshëm shkollor mësimi të zhvillohet në dy shkolla të ndara, të veçanta, ku, sipas statuteve dhe programeve, do të zhvillohen mësimet në gjuhën përkatëse siç edhe janë formuar”.

Kryeministri Xhaferi е vizitoi edhe shkollën “Liria” në Jabollçishtën e Poshtme, ku zhvillohen aktivitete ndërtimore për rritjen e kapacitetit të këtij institucioni të arsimit fillor. Në këtë shkollë mësojnë 836 nxënës, a prej tyre 117 mësojnë në shkollën rajonale në Jabollçishtën e Poshtme.

Në këtë shkollë rajonale deri tani mësimin e kanë ndjekur deri në klasën e pestë, ndërsa pas rinovimit të objektit shkollor, prej vitit të ardhshëm shkollor nxënësit do të mund të ndjekin mësim deri në klasën e nëntë.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share