“Disa deputetë nënshkruhen por nuk marrin pjesë në seanca”
Referendumi i paralajmëruar nga VMRO – DPMNE, me iniciativë të liderit të partisë, Hristijan Mickoski mbetet ende i paqartë për opinionin, pasi partia nuk ka shpalosur plan të detajuar se si do të zhvillohej ai, kur apo cila do të jetë pyetja në të cilën duhet të deklarohen qytetarët. Në lidhje me këtë sot u pyet edhe kryeparlamentari, Talat Xhaferi gjatë takimit me gazetarët, megjithatë ai nuk i komentoi këto paralajmërime, pasi që nuk ka material që të deklarohet.
“Është shumë herët të komentojë ndryshimet kushtetuese dhe referendumin në lidhje me propozimin evropian. Nuk ka material që të deklarohem. Opozita në mënyrë hipotetike krijon situatë”, deklaroi Talat Xhaferi
Në lidhje me mungesën e kuorumit kohëve të fundit dhe bllokadën aktive të VMRO – DPMNE-së, Xhaferi tha se, duhet të punojnë për pagën e tyre dhe të jenë prezent në sallë. Sipas tij, disa prej deputetëve nënshkruhen në listën e pjesëmarrjes, në bazë të së cilave i marrin kompensimet që u takojnë sipas rregullores dhe nuk janë prezent gjatë seancave. Sa i përket mospjesëmarrjes së liderëve të Alternativës dhe Lidhjes Demokratike, Afrim Gashi dhe Pavle Trajanov në takimin e liderëve të shumicës parlamentare, Xhaferi tha se, problemet në koalicionin qeveritar duhet të zgjidhen në mënyrë politike.
“Nuk është çështja e një subjekti, por një subjekti pas tjetri. Nëse raportet në pushtetin ekzekutiv kanë problem për shkak të marrëveshjeve politike, duhet t’i zgjidhin atje. Mua nuk më interesojnë marrëveshjet politike. Këtu jemi për votim të ligjeve. Ka dy zgjidhje – ose do të jesh prezent ose do të shpërbësh Kuvendin apo bëjë shumicë tjetër. Janë të obliguar të marrin pjesë në seancë”,deklaroi Talat Xhaferi.
Ndërkaq, në lidhje me mungesën e liderit të BDI-së, Ali Ahmeti dhe atij të PDSH-së, Menduh Thaçi në seanca, Xhaferi tha se në votime ato janë më të discipinuarit dhe më të rregullt në Kuvend.
Kuvendi do të fillojë pushimin vjetor pas festes së Ilindenit, ndërsa aktivitetet pritet të vazhdojnë nga 29 gushti. Seanca e parë e rregullt do të caktohet më 13 shtator, ndërsa deri atëherë do të mbahen seancat e komisioneve dhe vazhdimi i seancave të pambaruara. /KlanMacedonia/