Vuçiqit nuk i mjafton CNN-i dhe TV Happy – prononcohet edhe në Instagram!

USHTRIA SERBE NË KUFIRIN ME KOSOVËN – TË PAVËRTETA RAPORTET QË KANË MBËRRITUR NË UASHINGTON

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se Serbia është vendi i fundit të cilës i duhen incidentet. Gjatë një interviste për rrjetin televiziv CNN, me gazetaren Kristian Amanpur, ai i ka quajtur të pavërteta raportet që kanë mbërritur në Shtëpinë e Bardhë lidhur me lëvizjet e ushtrisë serbe afër kufirit me Kosovën, njofton Klan M.

“Sipas Marrëveshjes së vitit 2001 kemi të drejtë ta shfrytëzojmë territorin në zonën e sigurisë. Para disa ditëve patëm më pak se 8.400, sot kemi 4.400 njerëz. Gjithmonë i kemi dëgjuar partnerët tanë rreth deeskalimit të situatës. Nuk na duhen luftëra të reja, duam prani më të madhe të KFOR-it në veri të Kosovës” – tha Vuçiq.

I pyetur nëse do ta dorëzojë Milan Radojiçiqin, nënkryetarin e Listës Serbe, i cili konfirmoi se kishte udhëhequr sulmin në Banjskë, siç përcjellë Klan M, Vuçiqi tha se do të ftohen për përgjegjësi të gjithë ata që kanë kryer vepra penale.

“Serbia, natyrisht, do t’i mbajë përgjegjës të gjithë njerëzit që kanë kryer vepra kriminale dhe janë në territorin tonë. Radoiçiqi është në territorin e Serbisë dhe prokuroria do ta bëjë punën e saj” – deklaroi Vuçiq.

Vuçiqi gjatë një interviste tjetër për televizionin proqeveritar serb “Tv Hepi” ka komentuar edhe vrasjen e policit të Kosovës. Ai edhe pse nuk u shpreh 100% i sigurt, tha se informacionet e tij janë ndryshe nga versioni se policët e Kosovës kanë hyrë në pritë nga serbët.

“Policët kanë marrë urdhër të heqin barrikadat e vendosur nga serbët dhe me siguri kanë ndarë armë për të kundërshtuar Kurtin. Polici ka aktivizuar mjetin shpërthyes dhe njëri plagoset kurse tjetri humb jetën, kurse i treti ka hapur zjarr dhe ata që kanë qenë atje nuk kanë arritur të largohen dhe kështu ka nis gjithçka” – tha Vuçiq.

Presidentit serb Vuçiq duket se nuk i kanë mjaftuar intervistat televizive në CNN dhe HAPPY. Ai gjatë ditës, sic ka shkruar, në Instagram ka shpërndarë një mesazh për serbët.

“Do ta mbroj Serbinë, madje edhe nëse jam i vetmi që e bën këtë. Por, e di se nuk jam i vetmi” – ka shkruar Vuçiqi në profilin e tij zyrtar në Instagram. /KlanMacedonia/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share