NË BEOGRAD PANAIRI I VERËS – 310 PRODHUES NGA SERBIA, SHQIPËRIA, RMV-ja
Elita rajonale dhe botërore e verës mblidhet në Beograd në “Vizionin e Verës së Ballkanit të Hapur”. Panairi hapet me zyrtarë të lartë nga Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, kurse 310 prodhues nga tri vendet do të prezantohen në Panairin e Beogradit. Në pjesët tjera do të jenë edhe 300 prodhues tjerë nga e gjithë bota.
Nga Oda Ekonomike e Serbisë, thonë se “Vizioni i verës” ka një rëndësi të madhe për industrinë e verës si dhe për ekonomitë e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
“Tri liderët e kësaj nisme, Vuçiqi, Rama dhe Kovaçevski, për këtë janë duke punuar tashmë disa vite, përmes raporteve fqinjësore. Fatkeqësisht, ardhja në Serbi e rerth 50.000 njerëzve nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia për të biseduar, për të bërë biznese, gjatë kësaj duke pirë verë, shpeshherë nuk përbën lajm” – tha Marko Çadezh, Oda ekonomike e Serbisë.
Ndërkaq, duke u përgatitur për Panairin “Vizioni i Verës – Ballkani i Hapur”, Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, në Instagram, ka treguar aftësitë e tij në kuzhinë.
Ai ka publikuar një video duke përgatitur petulla, duke shkruar se po bën përpjekje për të pritur mysafirët në këtë panair.
“Kjo përgatitje nuk do të ndikojë në kondicionin dhe dukjen fizike, por padyshim se jam I lumtur” – ka shkruar Vuçiqi.
Nuk kanë munguar komentet në këtë postim të Vuçiqit.
“Për këtë shkak nuk mund të gjej punë, Vuçiqi ma ka marrë vendin”, Vuçiqi është I gatshëm të bëjë gjithçka, madje t`i tregojë aftësitë në kuzhinë” – ishin vetëm disa nga komentet për këtë postim. /KlanMacedonia/