Kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq sonte në Athinë, ndër të tjera, kanë biseduar për deklaratën e ministrit serb të Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq, i cili dje tha se “Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi i kanë bërë keq Serbisë duke njohur pavarësinë e Kosovës”.
“Sonte kemi biseduar me presidentin serb Aleksandar Vuçiq në Athinë. Ai më siguroi se si përfaqësues i shtetit serb, popullin maqedonas dhe shtetin maqedonas i konsideron jashtëzakonisht miqësor dhe se nëse ndonjë qytetar maqedonas ofendohet nga ndonjë mesazh nga shteti serb, ai personalisht do të kërkojë falje”, ka njoftuar Kovaçevski në faqen e tij në Facebook, përcjell KlanM.
Më herët ndaj deklaratës ka reaguar shefi i diplomacisë, Bujar Osmani, i cili ka bërë të ditur se “Maqedonia e Veriut hedh poshtë ndërhyrjet dhe vërejtjet e pahijshme të zyrtarëve fqinj.
“Ne qëndrojmë për stabilitet dhe bashkëpunim rajonal, duke përfshirë Serbinë dhe Kosovën. Presim sqarim nga ministri i Mbrojtjes i Serbisë”, shton Osmani në postimin në Facebook.
Menjëherë pas kësaj, ministri serb në një përgjigje për Osmanin në rrjetin social X ka shkruar se “përkundër të gjitha raportimeve dashakeqe dhe të pabaza në media, Serbia vepron si një partner i përgjegjshëm, i besueshëm dhe i parashikueshëm i të gjithë fqinjëve tanë dhe për shkak të mbështetjes së Serbisë për integriteti territorial i të gjitha vendeve anëtare të OKB-së është i pakushtëzuar”./KlanMacedonia