Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka cilësuar veten si presidenti më budalla në botë.
Këto komente për veten, Vuçiq i bëri pas vendimit të tij kundër minierave të litiumit në Serbi.
Duke komentuar protestat e organizuara nga aktivistët ekologjikë jashtë ndërtesës së Qeverisë së Serbisë në Beograd, Vuçiq i tha Pink TV se vendimin nuk e ka marrë qeveria, por ai personalisht.
“Nuk e kuptoj pse protestuan jashtë ndërtesës së Qeverisë. Kur të protestojnë, duhet ta bëjnë para Presidencës, unë do t’u drejtohem dhe do t’u them bukur – o njerëz, po e prishni vendin. Çmimi sot është 82.500 dollarë amerikanë për ton litium, me këto rezerva janë 100 miliardë, a e kuptoni se çfarë po i bëni Jadarit, Oseçinës, Valjevos dhe gjithë Podrinjes”, tha Vuçiq, shkruan N1, transmeton Klankosova.tv.
Ai theksoi se qyteti serb i Loznicës do të merrte 5 miliardë euro nga minierat e litiumit, dhe se kjo do të ishte gjëja më e mirë për Serbinë, por sipas tij, protestuesit ranë pre e teorive të konspiracionit dhe se udhëheqësit e protestave “paguheshin nga fondacionet e huaja”.
“Kryetarët i morën paratë dhe shkatërruan vendin bashkë me ne që ishim budallenj dhe naivë për të pranuar këtë paturpësi dhe këtë ‘forcë’ që mendonte se mund të bënte gjithçka dhe më vjen keq për këtë”, tha presidenti serb.