Prokuroria Publike për Krimin e Organizuar ka pranuar një kërkesë për të dëgjuar presidentin serb Aleksandar Vuçiq si dëshmitar në rastin e vrasjes së të rinjve serbë në kafenenë “Panda” të Pejës në vitin 1998.
Prokuroria do të vendosë për kërkesën e dorëzuar në emër të prindërve të të rinjve të vrarë më 10 gusht nga avokati Ivan Niniq, por fillimisht për vendimin do të njoftohet avokati i të dëmtuarve thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Publike për Krim të Organizuar në Serbi.
Avokati Niniq i tha Danasit se është në pritje të përgjigjes nga Prokuroria dhe se shpreson në emër të familjeve të të rinjve të vrarë nga Peja se do të jetë pozitive, sepse “çdo zgjidhje tjetër do të ishte shqetësuese”.
Sipas fjalëve të tij, familjet kanë paraqitur kërkesa për dëgjimin e Vuçiqit si dëshmitar disa herë më parë, por deri më tani nuk kanë marrë asnjë përgjigje nga Prokuroria.
Në kërkesën drejtuar Prokurorisë për Krim të Organizuar, avokati Niniq ka deklaruar se prindërit e gjimnazistëve dhe nxënësve të vrarë kërkojnë që Vuçiqi të dëgjohet në lidhje me deklaratat për masakrën në “Panda”, të cilat i ka bërë disa herë në media nga viti 2013 deri në vitin 2018, duke pretenduar se krimi nuk është kryer nga shqiptarët dhe se “pothuajse e di” se çfarë ka ndodhur atë natë fatale në atë kafene.
Këto deklarata janë paraqitur në kërkesën për seancë.
Avokati Niniq beson se sipas të njëjtit kriter, i cili është zbatuar me rastin e marrjes së vendimit për pranimin e veprimeve dëshmuese të dëgjimit të të gjithë dëshmitarëve të tjerë të propozuar, të cilët janë paraqitur në hapësirën publike lidhur me ngjarjen, do të duhej të dëgjohej edhe Aleksandar Vuçiq, sidomos për shkak të peshës së deklaratës së tij të dhjetorit 2013, kur ishte në krye të Byrosë për Koordinimin e Shërbimeve të Sigurisë.
Prindërit e të rinjve të vrarë më kot tentuan dhjetë herë që Vuçiq t’i merrte në intervistë. Në fillim të vitit 2023, disa herë publikisht në TV, presidenti ka deklaruar se do t’i pranojë, por deri më tani ky pranim nuk ka ndodhur.