Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq tha se në Bruksel nuk pati dialog sepse “Prishtina nuk e do atë|” dhe se po kërkon njohje “de jure” nga Serbia.
“E thashë se nuk donte, apo nuk guxonte, kjo pak a shumë është gjëja e tij, por që deri tek dialogu nuk shkoi pasi nuk e dëshironte. Ata nuk dëshirojnë vetëm njohje “de fakto” por njohje “ de jure” kjo është ajo çka kërkojnë e dëshirojnë”, ka thënë Vuçiq për Pink.
Ai tha se Kurti nuk dëshironte të bisedonte, ndërsa pala serbe “donte të bisedohej për çdo marrëveshje sesi me kompromis të zgjidhim problemet”.
“Por e dija dhe më herët mirë se ata për këtë nuk ishin të gatshëm, pasi gjëra të tilla nuk u interesojnë”.
Vuçiq vazhdoi me fushatën propaganduese të tij se në Kosovë ka “persekutim të serbëve” dhe se për “këtë e di dhe bashkësia ndërkombëtare, por që hesht se nuk e dinë se çfarë të bëjnë me Kurtin”.
“Serbët arrestohen siç vijnë. Kur një person e mbajmë dy orë pasi dyshohet për krime lufte ndaj serbëve, e mbajnë tri orë në autobus, atëherë mbarë bashkësia ndërkombëtare çohet në këmbë, reagojnë dhe europarlamentarë të shumtë”, tha ai.
“Është tërësisht e qartë se Kurti nuk dëshiron të formojë Asociacionin. E rëndësishme është të ruajmë paqen dhe gjakftohtësinë dhe tek paqja kërkojmë zgjidhjen më të mirë për zhvillimin e mëtejshëm ekonomik të Serbisë, forcimin e Serbisë në çdo sferë të jetës shoqërore”, ka pretenduar Vuçiq.
Vuçiq ka thënë se nuk beson që në periudhë të shpejtë do të ketë “dialog serioz”, duke u munduar të fajësojë palën kosovare.
Ai ka komentuar edhe Parlamentin e Spanjës që diskutoi për njohjen e pavarësisë së Kosovës, duke thënë se “rezultat i tillë ishte i pritshëm”.
“Vendim i pritshëm dhe faleminderit miqve tanë spanjollë ku treguan se janë miq dhe respektojnë të drejtën publike ndërkombëtare”