Vuçiq për hyrjen e kadetëve serbë në Bosnje: U respektuan procedurat

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se Serbia “i ka respektuar të gjitha procedurat” me rastin e nisjes së kadetëve të Akademisë Ushtarake të Beogradit në Bosnje e Hercegovinë.

Kadetët dhe oficerët e lartë të Akademisë Ushtarake në Beograd marshuan fundjavën e kaluar në dy qytete të Bosnje e Hercegovinës, me ftesë të Qeverisë së entitetit të Republikës Sërpska.

Shkuarjen e tyre atje e dënuan dy anëtarët e Presidencës së Bosnjes, Zhelko Komshiç dhe Denis Beqiroviç.

Ata thanë se nuk kanë dhënë leje për hyrjen e tyre dhe kërkuan hetime nga Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Bosnje e Hercegovinës, si dhe reagimin e komunitetit ndërkombëtar.

Duke reaguar ndaj kësaj, Vuçiç tha se nuk është hera e parë që kadetët e Akademisë Ushtarake në Beograd marrin pjesë në parada në Bosnje e Hercegovinë dhe se Serbia ka bërë “çdo gjë sipas ligjeve dhe procedurave, pikërisht ashtu siç duhet”.

“Ky është viti i tetë që shkojnë dhe nuk ka qenë kurrë problem, e tani është problem”, tha Vuçiç për Televizionin Pink të Serbisë.

Shkuarja e kadetëve, siç thanë për Radion Evropa e Lirë nga Policia Kufitare e Bosnje e Hercegovinës, u paralajmërua përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme të Bosnje e Hercegovinës.

Përveç në Kozarë, ku u përkujtua përvjetori i një beteje të vitit 1942, kadetët parakaluan edhe në qytetin Prijedor.

Në këtë qytet, gjatë luftës së viteve ’90, u vranë më shumë se 3.100 njerëz të kombësive joserbe.

Në paradë morën pjesë edhe ministri serb i Punës, Veteranëve dhe Çështjeve Sociale, Nemanja Staroviç, dhe sekretari shtetëror në atë ministri, Zoran Antiç.

Opozita në Bosnje e Hercegovinë kërkoi mbajtjen e një seance të posaçme të Asamblesë Parlamentare të Bosnje e Hercegovinës për hyrjen e kadetëve të Ushtrisë së Serbisë në territorin e vendit./REL

Lexo gjithashtu
Total
0
Share