Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, përsëriti qëndrimet se Serbia nuk do të pajtohet e as nuk do të qëndrojë e heshtur lidhur me anëtarësimin eventual të Kosovës në Kombet e Bashkuara si dhe nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës.
“Nuk më shkon në mendje ta nënshkruaj kapitullimin e Serbisë”, tha ai.
Gjatë një interviste në televizionin Happy, Vuçiq tha më 9 mars se këtë qëndrim ua ka shprehur ndërmjetësve ndërkombëtarë të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Ai tha se i dërguari evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, do të qëndrojë në Beograd më 13 dhe 14 mars, dhe se ai gjatë dy ditëve, së bashku me emisarin e BE-së do të tentojë të gjejë rrugën përpara drejt normalizimit të raporteve me Kosovën.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur gatishmërinë e tij që të nënshkruajë Marrëveshjen për normalizimin e raporteve me Serbinë, gjatë takimit që do të mbahet në Ohër të Maqedonisë së Veriut më 18 mars.
Ai këto komente i bëri gjatë takimit me Lajçakun në Prishtinë.
“Ai [Kurti] shprehu pritshmërinë e tij që Bashkimi Evropian të punojë në drejtim të përmbylljes së suksesshme të procesit të Marrëveshjes për normalizim përmes nënshkrimit zyrtar të saj në takimin e radhës”, u tha në njoftimin e lëshuar nga Zyra e kryeministrit Kurti më 9 mars.
Ndërkaq, Lajçak tha se me Kurtin ka zhvilluar një takim “konstruktiv, të rëndësishëm dhe shumë të frytshëm”.
Vizitat e Lajçakut në Kosovë dhe Serbi vijnë pasi Kurti dhe Vuçiq më 27 shkurt u pajtuan se nuk ka nevojë për negociata të tjera sa i përket propozimit evropian për normalizimin e raporteve.
Ky dokument, që ende nuk është nënshkruar, synon t’i çojë palët drejt një marrëveshjeje përfundimtare ligjërisht të detyrueshme. Tani, BE-ja po punon me palët në planin e zbatimit të këtij propozimi.
Dokumenti prej 11 nenesh u publikua nga BE-ja më 27 shkurt. Aty nuk përmendet decidivisht njohja e ndërsjellë, që Qeveria e Kosovës ka thënë se duhet të jetë në qendër të një marrëveshjeje eventuale për normalizim të raporteve.
Megjithatë, në nenin 2 të propozimit thuhet se palët duhet të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të njëra-tjetrës. Propozimi, po ashtu, përfshin zotimin e palëve për t’i respektuar të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe përkushtimin e tyre për të mos e penguar njëra-tjetrën në proceset integruese.
Ky dokument, që fillimisht njihej si propozimi franko-gjerman, ka mbështetjen edhe të Shteteve të Bashkuara.
Që nga viti 2011, Kosova dhe Serbia zhvillojnë negociata për arritjen e normalizimit të plotë të raporteve nën ndërmjetësimin e BE-së. Por, palët kanë pikëpamje të ndryshme rreth marrëveshjes përfundimtare. Përderisa Kosova insiston në njohje reciproke, Serbia kërkon një zgjidhje kompromisi, pa treguar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë. /REL