Në fjalimin e tij të djeshëm në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se konstatimet e fuqive perëndimore se në vitet e 90-ta ka pasur krime, dëbim dhe keqtrajtim të popullit shqiptar, si dhe krizë humanitare në Kosovë, kanë qenë vetëm “gënjeshtra dhe marrëzi” për “të arsyetuar”, siç u shprehë ai, “agresionin më brutal të NATO-s ndaj Serbisë dhe shkëputjen e një pjese të saj”.
“Në këtë sallë vetëm dy ditë më parë dëgjuam nga presidenti amerikan se parimi më i rëndësishëm në marrëdhëniet ndërmjet shteteve është respektimi i integritetit dhe sovranitetit të tyre territorial.
“Dhe më dukej se të gjithë mund ta mbështesnin këtë. Unë e mbështeta këtë. Problemi i vetëm në gjithë këtë ishte fakti se disa orë pas fjalimit të tij më duhej të shihja “të ashtuquajturën presidente” të Kosovës, të cilën pjesa më e fuqishme e Perëndimit e konsideron presidente të një shteti të pavarur, të krijuar nga shkëputja nga territori i Serbisë. Pak metra nga kjo sallë, ministrja gjermane tha se Gjermania i përmbahet fort Kartës së OKB-së dhe nuk do të heqë dorë kurrë prej saj. E gjithë kjo do të ishte mirë, po të ishte e vërtetë”, ka pretenduar Vuçiqi, transmeton Paparaci.
Ai gjithashtu ka pretenduar se pothuajse të gjitha fuqitë e mëdha perëndimore “shkelën brutalisht si Kartën e OKB-së, ashtu edhe Rezolutën 1244 të OKB-së, të miratuar në OKB, në kundërshtim me parimet që mbrojnë sot, dhe kjo ndodhi 24 vjet më parë dhe saktësisht 15 vjet më parë”.
“Për herë të parë, pa precedent në historinë botërore, 19 nga vendet më të fuqishme morën një vendim, pa pjesëmarrjen e Këshillit të Sigurimit, pa asnjë vendim të këtij organi, për të sulmuar dhe dënuar brutalisht një vend sovran në tokën evropiane, siç thanë ata, për të parandaluar një katastrofë humanitare. Ata nuk qeshën kur presidenti i Rusisë përdori të njëjtat fjalë për të justifikuar sulmin e tij ndaj Ukrainës. Kanë harruar se edhe vetë kanë përdorur të njëjtat fjalë, të njëjtat shpjegime”, ka pretenduar Vuçiq.
Përveç kësaj, ai ka pretenduar, se “Serbia nuk ka shkelur në territorin e një shteti tjetër dhe as nuk ka kërcënuar ekzistencën e tij, por 24 vjet më parë, 19 nga më të fuqishmit nuk kishin mëshirë ndaj Serbisë së vogël”.
“Edhe kur e kanë mbaruar atë punë kanë thënë se çështja e Kosovës është çështje demokratike dhe se do të zgjidhet në përputhje me Kartën e OKB-së dhe dokumentet tjera juridike ndërkombëtare. Dhe pastaj, atyre u shkoi mendja se në vitin 2008, në kundërshtim me të gjitha dokumentet ndërkombëtare, të mbështesnin pavarësinë e “të ashtuquajturës Kosovë”, ka thënë presidenti serb.
Sipas tij, “vendimi i paligjshëm” për shkëputjen e Kosovës nga Serbia është marrë plot një dekadë pas përfundimit të luftës në vend, pa referendum apo asnjë formë demokratike të deklarimit të qytetarëve në Serbi, madje as në vetë Kosovën.
“E megjithatë, kjo nuk e pengoi dhunën ligjore dhe politike nga ata që sot po japin leksione nga kjo foltore. Shpjegimet e pakuptimta, si terrori policor që autoritetet serbe kryen në krahinën e tyre jugore një dekadë të tërë më parë, gjoja kriza humanitare, persekutimi i popullatës vendase shqiptare, janë vetëm pika e fundit në kovën e gënjeshtrave dhe marrëzive, në për të arsyetuar dhunën ndaj një vendi sovran dhe cenimin e integritetit të tij”, ka thënë Vuçiq në fjalimin e tij të djeshëm.