Vuçiq: KFOR-i më ka premtuar se nuk do të lejojë të hapet njëanshëm ura e Ibrit

Aleksandar Vuçiq kishte deklaruar ditë më prë se ura mbi lumin Ibër, Mitrovicë do të hapet më 14 ose 15 gusht, por tash ka ndryshuar fjalët duke thënë se një gjë e tillë nuk do të pasi këtë ia kanë premtuar KFOR-i.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka komentuar çështjen e hapjes së Urës së Ibrit, duke theksuar se janë në kontakt të përditshëm me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare e KFOR-in dhe se presin që ata të mbajnë fjalën që ura nuk do të hapet pa një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai ka shtuar se nuk ekziston një vullnet i përbashkët politik mes Serbisë dhe Kosovës për këtë çështje si dhe ka kritikuar caktimin e datës së zgjedhjeve në Kosovë, shkruan nova.rs.

“Jemi në kontakt të përditshëm me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare dhe KFOR-in, me të cilët kemi një bashkëpunim shumë korrekt. Presim që ata ta mbajnë fjalën e dhënë se pa një marrëveshje apo vullnet të përbashkët, nuk do të ketë hapje të urës. Nuk ka vullnet të përbashkët sepse nuk ka dialog”, tha Vuçiq.

“Për më tepër, ata kanë shpallur zgjedhjet për 9 shkurt, dhe për ta çdo gjë është fushatë. Për këtë arsye, pres provokime dhe probleme shtesë, por besoj se KFOR-i do t’i përmbushë premtimet dhe detyrën e tij parësore sipas rezolutës 1244”, ka shtuar i pari i shtetit serb.

Kujtojmë se ura aktualisht është e hapur për këmbësorë, por jo edhe për vetura dhe në të patrullojnë karabinierët italianë të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Përfaqësuesit e vendeve të QUINT-it në Kosovë, kanë thënë publikisht se nuk mbështesin hapjen e urës në këtë kohë.

KFOR-i ka thënë disa herë në ditët e fundit se nuk do të hezitojë të veprojë nëse vëren veprime afër urës që mund të cenojnë sigurinë e qytetarëve.

Kosova dhe Serbia janë pajtuar për hapjen e urës, fillimisht më 2015, më vonë më 2016, në kuadër të dialogut që ndërmjetëson Bashkimi Evropian.

Hapja e saj është zvarritur disa herë, dhe faktori ndërkombëtar kërkon që kjo çështje të jetë sërish temë dialogu. /Telegrafi/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share