Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha sot se nesër në Bruksel e pret një takim i vështirë në kuadër të dialogut Prishtinë-Beograd, por vendi është i përkushtuar për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe se në këtë kontekst është i gatshëm të punohet për konceptin dhe zbatimin e një plani të propozuar me kufizime të përcaktuara qartë.
Këtë ai e ka theksuar gjatë një bisede telefonike me këshilltarin special në Departamentin Amerikan të Shtetit, Derek Shole, i cili i ka thënë se pret që takimi i nesërm të jetë konstruktiv, me përparim të dukshëm drejt marrëveshjes.
Diplomati amerikan theksoi se SHBA e mbështet plotësisht propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe se duhet të zbatohen marrëveshjet e nënshkruara më herët në procesin e dialogut, që përfshin themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe.
Vuçiq dhe Shole diskutuan gjithashtu për të ardhmen evropiane të Serbisë, e cila mbështetet nga SHBA-ja, si dhe mundësitë e rëndësishme për zhvillimin e bashkëpunimit serbo-amerikan në fusha të ndryshme, veçanërisht në fushën ekonomike, thuhet në njoftim, transmeton Beta.