Vuçiq i drejtohet popullit serb: Përse nuk e nënshkrova aneksin e marrëveshjes me Kosovën

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thënë se nuk e ka nënshkruar aneksin për zbatimin e Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve me Kosovën, “sepse Serbia është shtet i njohur ndërkombëtarisht, ndërsa Kosova nuk është” prandaj, sipas tij, nuk mund të arrihet një marrëveshje juridike ndërkombëtare.

Ai ka folur para popullit më 19 Mars, duke diskutuar për takimin që ka zhvilluar në Ohër me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, një ditë më parë, nën ndërmjetësim të negociatorëve evropianë.

I pranishëm në Ohër ka qenë edhe i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili, po ashtu, i ka komentuar si pozitive zhvillimet e së shtunës.

“Askush nuk mund t’ia imponojë Serbisë obligimin për të njohur Kosovën. Serbia mund të punojë në zbatim, deri te vijat e kuqe”, ka thënë ai.

Vuçiç ka thënë një ditë më parë në Ohër se është një arritur një lloj marrëveshjeje, mirëpo që nuk ka nënshkruar asgjë.

Ai ka thënë se është arritur përparim përmes një diskutimi konstruktiv.

Kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borell, ka thënë më 18 Mars se edhe pse palët kanë vendosur të mos e nënshkruajnë zyrtarisht marrëveshjen, ato janë pajtuar që të fillojnë zbatimin e saj sa më shpejt që të jetë e mundur.

“Është e qartë se të dyja palët do të kenë përfitim të madh nga kjo marrëveshje, sepse dialogu nuk është vetëm për shkak të Kosovës dhe Serbisë, por ka të bëjë me stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin e të gjithë rajonit”, ka thënë kryediplomati i BE-së.

Marrëveshja me 11 nene, e bërë publike më 27 Shkurt, nuk e detyron Serbinë që ta njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë pasaportat, diplomat dhe targat.

Ajo kërkon, po ashtu, nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Qeveria në Prishtinë e ka refuzuar deri më tani, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se pajtimi i arritur në Ohër është “njohje e ndërsjellë de facto” e Kosovës dhe Serbisë.

I pyetur nga gazetarët nëse do të lejojë formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ai ka thënë se bëhet fjalë për “një nivel adekuat të vetëmenaxhimit të komunitetit serb” dhe “jo për vetëqeverisje”.

Me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e SHBA-së, dy vendet janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh nga viti 2011.

Ato kanë arritur dhjetëra marrëveshje, por shumica e tyre nuk janë zbatuar dhe palët kanë fajësuar njëra-tjetrën për ngecje.  /REL

Lexo gjithashtu
Total
0
Share