Vuçiq: Do t’i drejtohemi KFOR-it me kërkesë për dislokimin e trupave në Kosovë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se do t’i drejtohet KFOR-it me kërkesë për lejimin e dislokimit të trupave ushtarake dhe policore serbe në Kosovë.

“Ne u dakorduam sot për tekstin që t’i dërgojmë një kërkesë komandantit të KFOR-it, në përputhje me Rezolutën 1244, për të siguruar dislokimin e pjesëtarëve të ushtrisë dhe policisë serbe në territorin e Kosovës dhe Metohisë, dhe vendimi i Qeverisë [për këtë çështje] do të merret të hënën ose të martën”, tha Vuçiç gjatë një konference për media.

Ai tha se e di që kjo kërkesë do të refuzohet.

“Por, është mirë që një ditë nuk do të thonë se nuk e kemi kërkuar kurrë dhe se asnjë qeveri nuk guxoi të kërkonte” dislokimin e trupave në Kosovë, tha presidenti serb.

Sipas tij, KFOR do të gjejë “arsye të panumërta” për të dëshmuar se janë në kontroll të situatës. Por, Vuçiç paralajmëroi se Serbia do të kërkojë mënyra të reja ligjore për të arritur qëllimin e saj.

Lideri serb pretendoi se sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të bashkuara, Serbia ka të drejtë të kthejë forcat e saj në Kosovë.

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, nuk i është përgjigjur pyetjes së REL-it se si i komenton këto paralajmërime të Serbisë. Paralajmërime të ngjashme për dërgimin e trupave në Kosovë kanë bërë edhe kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, dhe shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviç.

Por, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar një ditë më parë se territorin e Kosovës nuk do të ketë më kurrë policë dhe ushtarë të Serbisë.

“Kërcënimi i hapur për agresion policor e ushtarak nga ana e Serbisë dëshmon se në atë shtet vazhdon mendësia hegjemoniste”, tha Osmani.

Këto paralajmërime vijnë në kohën kur në veri të Kosovës janë rritur tensionet, me serbët lokalë që kanë ngritur barrikada dhe me Policinë e Kosovës që ka shtuar praninë e saj në këtë pjesë të shtetit.

Vuçiç e konsideron pamaturi ndalimin e Pantiçit

Vuçiç foli edhe për arrestimin e ish-pjesëtarit serb të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiç, veprim të cilin e konsideroi si “të pamatur”.

“Shërbimet tona e kanë hetuar shumë seriozisht të gjithë rastin. Unë bisedova me partnerët ndërkombëtarë dhe theksova pamaturinë e atyre që kryen një veprim të tillë dhe kërcënuan edhe një herë paqen”, tha Vuçiç gjatë një konference për media.

Kosova njoftoi se ka arrestuar më 10 dhjetor ish-policin Dejan Pantiç, të cilin e akuzon për organizimin e “sulmit terrorist” ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës.

Pas arrestimit të Pantiçit, serbët lokalë kanë bllokuar rrugët në veri, duke shtyrë Policinë e Kosovës të mbyllë përkohësisht pikëkalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, që lidhin Kosovën dhe Serbinë.

Sipas Vuçiçit, serbët reaguan duke ngritur barrikada, pasi e kuptuan se “prisnin ditën kur dikush do të vinte për ta”.

“Pantiç është ende në bazën e Policisë së Kosovës në Leposaviq dhe për këtë janë përgjigjur serbët”, tha Vuçiç.

Sipas Vuçiçit, Pantiç jeton në ndërtesën ku gjendet edhe njëra nga zyrat e komisioneve komunale, që u dëmtuan gjatë 6 dhjetorit, kur zyrtarët zgjedhorë, nën përcjelljen e Policisë, kishin tentuar të shkonin.

“Sonte njerëzit tanë janë në barrikada. Njerëzit do të ngrihen sepse nuk kanë zgjidhje tjetër. Nuk kam biseduar me asnjë nga ata që janë në barrikada sot. Do t’i thërras pas kësaj konference. Populli e bëri këtë vet, pasi nuk e duron më mizorinë”, theksoi ai.

Pjesëtarët serbë të Policisë së Kosovës – së bashku me zyrtarët e tjerë në nivelin lokal, sistemin e drejtësisë dhe institucione të tjera – dhanë dorëheqje në nëntor në shenjë pakënaqësie ndaj një vendimi të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe.

Por, në ndërkohë Kosova dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje për targat, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Tensionet në veri janë rritur që nga 6 dhjetori, kur u dëmtuan zyrat e komisioneve komunale zgjedhore në Mitrovicë të Veriut dhe Zubin Potok. Që nga ajo kohë, autoritetet kanë raportuar se në komunat në veri, të banuara me shumicë serbe, ka pasur të shtëna me armë zjarri, hedhje të granatave të dorës dhe shok bombave.

Zyrtarët në Kosovë, për këto incidente fajësojnë “bandat kriminale” të “financuara dhe dirigjuara” nga Serbia.

Për shkak të situatës së sigurisë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi për shtyrjen e zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës. Ato janë caktuar të mbahen në prill të vitit të ardhshëm.

Paraprakisht, zgjedhjet ishin caktuar që të mbaheshin më 18 dhjetor në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq. Këto komuna, që nga nëntori kanë mbetur pa kryetarë, pas dorëheqjes së tyre.

Akuza për shkelje të Marrëveshjes së Uashingtonit

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, po ashtu akuzoi autoritetet në Kosovë se kanë shkelur Marrëveshjen e Uashingtonit, të arritur në Shtëpinë e Bardhë më 4 shtator të vitit 2020.

“Prishtina do ta dorëzojë zyrtarisht aplikimin për anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian më 15 [dhjetor] me bujë të madhe. Është një ngjarje e pakëndshme për ne, shkatërrimi i Marrëveshjes së Uashingtonit”, tha ai.

Autoritetet në Kosovë kanë paralajmëruar se gjatë dhjetorit do të aplikojnë për anëtarësim në BE.

Marrëveshja e Uashingtonit, të cilës iu referua Vuçiç, veç tjerash, parashihte një moratorium njëvjeçar për Kosovën dhe Serbinë. Kosova ishte zotuar se për një vit nuk do të aplikonte për anëtarësim në institucione e organizata ndërkombëtare, ndërkaq Serbia të ndalte fushatën për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës./REL

Lexo gjithashtu
Total
0
Share