Serbia nuk do të marrë pjesë në samitin e ardhshëm të Këshillit të Europës në Islandë
Ndonëse u zotua në marrëveshjen e Ohrit të mos ndalojë Kosovën të anëtarësohet në institucionet ndërkombëtare, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, pohoi me gojën e tij se Beogradi po lobon kundër anëtarësimit të Kosovës në institucionet ndërkombëtare.
Vuçiç njoftoi se Serbia nuk do të marrë pjesë në samitin e ardhshëm të Këshillit të Europës në Islandë më 16 dhe 17 Maj, pas vendimit të institucionit më të lartë europian për të drejtat e njeriut për të shqyrtuar kërkesën për anëtarësim të Kosovës.
Pas takimit me të dërguarin e posaçëm europian për dialogun Miroslav Lajçak, Vuçiç tha se Serbia do të përfaqësohet në “nivelin më të ulët” në samitin e Reikjaviku-t.
Pas takimit me Lajçakun, Vuçiç tha se i ka përcjellë shqetësimin e tij për situatën në Kosovë, “veçanërisht në veri”.
“Kur dikush dëshiron konfliktin me aq entuziazëm, pothuajse me çdo kusht, siç bën Albin Kurti, sado që përpiqesh të vraposh, të mbulohesh, të tërhiqesh dhe ta shmangësh atë, konflikti vazhdon dhe paqja bëhet më e vështirë për t’u ruajtur.”
Vuçiç, gjithashtu tha se fokusi i takimit ishte formimi i Asocacionit të komunave me shumicë serbe, “që është parakusht që Serbia t’i vazhdojë bisedimet e mëtejshme me Prishtinën”.
Përmes një postimi në rrjetin social Twitter, Lajçak njoftoi për takimin e tij me presidentin Vuçiç dhe kryenegociatorin Petar Petkoviç, prej ku tha se me ta diskutoi për të ardhmen e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit.
Klan News