Naim Bajri, 68 vjeç, u vra me amë zjarri në rrethana ende të paqarta. Ngjarja ndodhi rreth orës 07:20, në vendin e quajtur “Merkata e Rusit” në Shkodër. Si pasojë e të shtënave ka mbetur i plagosur lehtë 58-vjeçari Astrit Zeneli, punëtor i viktimës. Ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Pas kësaj ngjarjeje të rëndë, në lagjen “Guerrile” është gjetur një mjet i djegur që dyshohet të jetë përdorur nga autorët. Policia ka ngritur disa pika kontrolli dhe po vijon krehja e zonës për kapjen e autorëve. Drejt qytetit janë nisur edhe disa grupe të RENEA-s.
Ndërkohë është ngritur një grup hetimor që po vijon punën për zbardhjen dhe sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Burime për Klan News bëjnë me dije se ndaj Naim Bajrit është shtënë të paktën 10 herë duke e lënë të vdekur në vend. Bajri është qëlluar në derë të merkatës sapo ka dalë në punë për të shitur peshk.
Viktima, i cili është vrarë sot në Shkodër, mësohet se në vitin 2001 i kanë vrarë djalin Endrit Bajri. Ngjarja ka ndodhur në 21 Tetor të 2001, ndërsa vrasësit kanë qenë Xhabir Shega, Kujtim Barbullushi dhe Ilimir Hajdari.
Xhabir Shega është vrarë në 2015. Në të njëjtin vend ku ka ndodhur ngjarja sot në merkatën e peshkut, ka ndodhur edhe një tjetër vrasje, ajo e Fatos Ferracakut, me 14 Nëntor 2018.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 07:20, në vendin e quajtur “Merkata e Rusit”, në lagjen “Partizani”, Shkodër, në rrethana ende të paqarta, është vrarë me armë zjarri shtetasi Naim Bajri, 68 vjeç, banues në fshatin Dobraç, Shkodër dhe ka mbetur i plagosur lehtë, jashtë rrezikut për jetën, shtetasi A. Z., 58 vjeç, banues në fshatin Dobraç, Shkodër.
Gjithashtu në livadh, në lagjen “Guerrile”, Shkodër, është gjetur i djegur një mjet që dyshohet të jetë përdorur nga autorët.
Janë ngritur pika kontrolli dhe po vijon krehja e zonës nga Policia vendore dhe FNSH Shkodër, si dhe janë nisur në drejtim të Shkodrës, grupe të RENEA-s.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen dhe sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve./tvklan.al