Një zyrtar policor është arrestuar për vrasjen që ndodhi në afërsi të një restoranti dasmash në fshatin Bibaj të Ferizajt.
Lajmin për Klankosova.tv e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Ferizaj, Qazim Reka, i cili tha se në lidhje me rastin është njoftuar Prokuroria Themelore në Ferizaj dhe IPK-ja.
“Sipas informacioneve fillestare, i dyshuari për kryerjen e kësaj vrasjeje është një zyrtar policor, i cili është arrestuar. Në lidhje me rastin është njoftuar Prokuroria Themelore në Ferizaj dhe Inspektorati Policor”, tha Reka për Klankosova.tv.
Tutje, ai tha se viktima i përket vitit të lindjes 1935, teksa nuk i bëri të ditura motivet.
Ndërsa, zëdhënësi i IPK-së, Arbër Beka, tha se dyshimet fillestare janë se i dyshuari ishte jashtë detyrës zyrtare në momentin që ka ndodhur ngjarja.
“Dyshimet fillestare janë se një zyrtar, jashtë detyrës zyrtare është i përfshirë në këtë rast. Ekipet e IPK-së janë duke shkuar në vendin e ngjarjes dhe njësitet tjera janë aty”, tha ai.