Samuel Paty u vra në vitin 2020 nga një 18 vjeçar pas shfaqjes së karikaturave për profetin Muhamed
6 adoleshentë kanë dalë para gjyqit në Paris për rolin e tyre në vrasjen e mësuesit Samuel Paty. Ky është gjyqi i parë, nga dy gjithsej, për rastin që tronditi Francën në vitin 2020.
Fëmijët ishin të moshës nga 13 deri në 15 vjeç në kohën e vrasjes së mësuesit. Adoleshentët do të gjykohen me dyer të mbyllura në Gjykatën për të Mitur, pa praninë e mediave. Ata mund të përballen me dënimin prej 2.5 vite burg.
Mësuesi 47-vjeçar i historisë dhe gjeografisë u qëllua me thikë në periferi të kryeqytetit francez dhe më pas iu pre koka nga refugjati çeçen, Abdoullakh Anzorov, 18 vjeç i cili u vra nga policia në vendngjarje.
I riu vrau mësuesin pas mesazheve të shpërndara në rrjetet sociale ku thuej se mësuesi kishte shfaqur gjatë orëve mësimore karikatura të profetit Muhamed të revistës satirike, “Charlie Hebdo”. Paty kishte përdorur këtë revistë si pjesë të orës së tij të etikës për të diskutuar për ligjet, për lirinë e shprehjes në Francë, shtet ku karikaturat që përqeshin figurat fetare bëhen për një kohë të gjatë.
Një nga adoleshentët në gjyq është një vajzë, e cila ishte 13 vjeç në kohën e vdekjes së Paty, e cila konsiderohet si epiqendra e ngjarjeve. Ajo akuzohet se ka bërë një “akuzë të rreme” pasi tha se mësuesi u kishte kërkuar nxënësve myslimanë të largoheshin nga klasa përpara se ai të shfaqte karikaturat. Në të vërtetë, mësuesi francez nuk kishte kërkuar diçka të tillë, por kishte thënë se mund të largoheshin nëse mendonin se do të ofendoheshin nga karikaturat e shfaqura.
Pesë të dyshuarit e tjerë dyshohet se kanë ndihmuar autorin të identifikojë mësuesin në shkollë në këmbim të një pagese prej 300 €.
Klan News