Vrasja në Fier, policia: Mes palëve pati shkëmbim zjarri, autori ishte bashkë me vëllain

Policia ka dhënë detaje shtesë për ngjarjen rëndë të ndodhur një ditë më parë në Fier, ku mbeti i vrarë 41-vjeçari Erion Javori alias Elton Javori (Lexo më shumë). Kështu sipas policisë, mes viktimës dhe autorit të dyshuar të ngjarjes ka pasur shkëmbim zjarri.

“Në vijim të veprimeve hetimore të kryera nga grupi hetimor i përbërë nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Fier dhe atyre të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, rezultoi se: Ditën e djeshme në lagjen “16 Prilli”, Fier, nga një automjet tip “Benz”, nga krahu i pasagjerit, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit tip “Fuoristradë” e cila drejtohej nga shtetasi Erion Javori 41 vjeç. Pas këtij veprimi, shtetasi Erion Javori, ka qëlluar disa herë me armë zjarr pistoletë në drejtim të automjetit tip “Benz”. Si pasojë e shkëmbimit të zjarrit, ka mbetur i vrarë shtetasi Erion Javori 41 vjeç.”

Po ashtu, policia thotë se në makinën Benz, përveç 35-vjeçari Agim Gashi, ndodhej edhe vëllai i tij Kreshnik Gashi. Të dy tashmë janë shpallur në kërkim.

“Nga hetimet rezultoi se autorët që udhëtonin me automjetin tip “Benz” janë shtetasit Agim Gashi, 35 vjeç dhe Kreshnik Gashi 33 vjeç (vëllezër), të cilët janë shpallur në kërkim dhe po punohet intensivisht për kapjen dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, në afërsi të automjetin tip “Fuoristradë”, u gjet 1 armë zjarri pistoletë me nr trupi të paidentifikuar e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.”

Sa i përket motiveve, policia sqaron se dyshimet kryesore bien mbi një konflikt për motive të dobëta të nisur kohë më parë.

“Motivi i kësaj ngjarjeje kriminale dyshohet një konflikt i nisur disa kohë më parë midis shtetasit Agim Gashi dhe shtetasit Erion Javori për motive të dobëta. Në drejtimin e Prokurorisë vijon puna hetimore për sqarimin e rrethanave të kësaj ngjarjeje dhe mbledhjen e te gjitha provave për dokumentimin e plotë të saj. Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, në ngarkim të shtetasve Agim Gashi dhe Kreshnik Gashi, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vrasje me paramendim” e kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak.”

Ndërkohë, gazetarja Anila Sefa thotë se në vendin e ngjarjes janë gjetur 7 gëzhoja pistolete. Po ashtu, gazetarja shprehet se zanafilla dyshohet të jetë një zënkë mes autorit dhe viktimës rreth 10 ditë më parë në një lokal të Fierit. Javori dhe Gashi mësohet se fillimisht kishin debatuar verbalisht e më pas viktima e kishte goditur me grusht Gashin. Dyshohet se ky e fundit nuk e kishte harruar këtë grusht dhe në momentin e parë që u takuan, rezultati ishte tragjik./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share