Të tjera detaje tronditëse vijojnë të publikohen nga mediat greke për vrasjen e 41-vjeçares shqiptare shtatzënë nga partneri i saj grek 39 vjeç dhe shoku i këtij të fundit.
Sipas shtypit, 39-vjeçari ka qenë i kallëzuar në vitin 2022 nga motra e tij për përdhunim dhe akte seksuale ndaj saj. Kjo çështje është nën hetim dhe së fundmi dosja po shqyrtohet me prioritetet.
39-vjeçari grek dhe shoku i tij 34-vjeçar janë të arrestuar për vrasjen e 41-vjeçares shqiptare shtatzënë Gjeorgjia Murati.
Krimi monstruoz ndodhi në Selanik disa ditë më parë, pasi fillimisht ishte raportuar zhdukja e shqiptares. Trupi i saj u gjet i groposur në një zonë të pyllëzuar. Ndërsa policia greke zbuloi me shpejtësi autorët e dyshuar të krimit.
Shqiptarja që mbeti viktimë ishte nënë e një vajze 13-vjeçare nga martesa e parë ndërsa bashkëjetonte së fundi pas divorcit me një 39-vjeçar. Ishte ky i fundit që denoncoi zhdukjen e Muratit gjatë natës së ndërrimit të viteve duke deklaruar tek organet policore se nuk ishte kthyer në shtëpi pas punës.
Ngjarjen e ka zbardhur shoku i bashkëjetuesit të viktimës i cili rrëfeu se e transportoi trupin me makinën e tij dhe se ndihmoi vetëm për largimin nga banesa e saj dhe jo në vrasje. Policia po heton për shkakun që shtyu 39-vjeçarin të kryente krimin e rëndë. /tvklan.al