Vrasja e policit të Kosovës/ Kryeministri Rama: Këmbana më e madhe e alarmit, të thirret konferencë e jashtëzakonshme paqeje

Kryeministri Edi Rama e konsideron tepër të rëndë vrasjen e policit të Kosovës dhe si këmbanën më të madhe të alarmit të situatës në veri të vendit.

Kreu i qeverisë shqiptare i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të reagojë dhe të thërrasë urgjentisht një konferencë të jashtëzakonshme paqeje si dhe të ulë Kosovën e Serbinë në tryezën e dialogut.

Kryeministri Rama bën thirrje që të merren masa të jashtëzakonshme për të mos lejuar përkeqësimin e situatës përpara se kriza në veri të Kosovës të dalë jashtë kontrollit dhe të destabilizojë Ballkanin.

“Tragjedia e humbjes së jetës së efektivit të Policisë së Kosovës është këmbana më e madhe e alarmit deri më sot për rrezikun e vazhdueshëm të eskalimit të krizës së zgjatur në një konflikt të armatosur. Kriminelët që i morën jetën një njeriu të pafajshëm, i cili shërbente nën uniformën shtetëtore të forcave të rendit të Republikës së Kosovës, duhet të dalin përpara drejtësisë.

Komuniteti euroatlantik duhet të mbledhë të gjithë forcën e tij imponuese dhe të ulë pa kthim, Kosovën dhe Serbinë në tryezën e Dialogut të Normalizimit. Thirrja e një konference të jashtëzakonshme paqeje, nën mbikqyrjen e garancinë e Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara, e njëkohësisht marrja e të gjitha masave të jashtëzakonshme me KFOR-in, për moslejimin e eskalimit të mëtejshëm të situatës, janë një domosdoshmëri strategjike jo vetëm për rendin e sigurinë në Kosovë sot, po edhe për paqen e të ardhmen e rajonit nesër, përpara sesa kriza e zgjatur në Veriun e Kosovës të dalë jashtë kontrollit e të kthehet në një zjarr destabilizues për krejt rajonin”.

Policia e Kosovës u sulmua me armë të rënda nga një grup kriminal në orët e para të mëngjesit të sotëm, duke vrarë një prej tyre dhe plagosur një tjetër. Ndërsa një polic i tretë ka pësuar lëndime të lehta.

/tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share