Mjekët e familjes nga shërbimi shëndetësor privat nuk do të punojnë të hënën nga ora 12:00 deri në 16:00 në shenjë revolte, pasi dje kolegu i tyre u gjet i vdekur me plagë me thikë në parkingun përballë poliklinikës Zhelezara, deklaroi për AIM, kryetarja Asociacionit të mjekëve privatë të familjes, Lilija Çolakova Dervishova.
“Jemi të tmerruar nga ky akt i tmerrshëm. Bëhet fjalë për kolegun dhe profesionistin tonë që gjithë jetën ia ka kushtuar punës. Çfarë do të thotë kjo, se duhet të kemi frikë nëse dikush që nuk është i kënaqur me punën tonë për ndonjë arsye dhe pas orarit të punës mund të hyjë në jetën tonë. Ne do të shprehim revoltën tonë dhe nuk do të punojmë të hënën nga ora 12:00 deri në ora 16:00”, thotë Çolakova – Dervishova
Ndryshe, Ministria e Shëndetësisë njoftoi se mjeku që u gjet i vdekur nuk ishte i punësuar në poliklinikën Zhelezara, por në një ordinancë private të lëshuar me koncesion.
MPB bëri të ditur se mjeku 67-vjeçar me plagë me thikë është gjetur në parkingun përballë poliklinikës Zhelezara. Sipas njoftimit, ai është gjetur nga djemtë e tij, të cilët kanë nisur ta kërkojnë pasi ai nuk është kthyer nga puna në shtëpi.