Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar dy persona të dyshuar për vrasjen e Liridona Murselit.
“Pas përfundimit të ekzaminimit të vendit të ngjarjes, janë ndërmarrë veprimeve intensive hetimore të cilat kanë rezultuar në arrestimin e dy personave të dyshuar lidhur me rastin e sipër shënuar”, njoftoi policia.
Klan News raporton se një prej të arrestuarve është Naim Murseli, bashkëshorti i saj. Ende nuk bëhet i ditur identiteti i të arrestuarit tjetër.
Policia e Kosovës thotë se po vazhdon operacionin dhe po bastis dy banesa në Gjakovë.
Dy ditë më parë u raportua se familja Murseli ra pre e një grabitjeje të armatosur në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë, ku e vdekur mbeti gruaja 30-vjeçare.
Naim Murseli ka qenë këshilltar i Behgjet Pacollit, kur ky i fundit ka qenë President i Kosovës. Ngjarja u raportua se ndodhi kur Liridona ka qenë së bashku me familjen e saj në makinë, bashkëshortin dhe dy fëmijët e tyre.
Murseli, i cili konsiderohej si dëshmitari kyç i kësaj historie, ka deklaruar më herët se familja ra pre e një grabitjeje. Autori i ndaloi dhe u kërkoi t’i jepnin sendet me vlerë.
Më pas, sipas tij, i qëlloi me armë zjarri duke lënë të vdekur gruan. Vetëm Naim Murseli tha se arriti të largohej bashkë me fëmijët./tvklan.al