Mediat italiane kanë publikuar fotot e dy personave që u shuan një natë më parë nga dora e shqiptarit Taulant Malajt, në Foggia të Italisë fqinje, si dhe detaje të tjera nga ngjarja e rëndë. Viktimë mbeti vajza e tij 16-vjeçare Jessica, si dhe italiani Massimo De Santis. Ndërsa ish-bashkëshortja e 45-vjeçarit, Tefta Malaj 39-vjeçe, mbeti i plagosur.
Ngjarja e rëndë u regjistrua në një pallat në zonën e Torremaggiore, ku Taulant Malaj i masakroi ata me thikë. Referuar mediave italiane, pas ngjarjes së rëndë fshihen motivet e xhelozisë.
Gjithçka nisi mesnatën e së shtunës kur 45-vjeçari shkoi për të debatuar me ish-bashkëshorten e tij. Përpara se të takonte atë, shqiptari u përball me italianin Massimo De Santis, për të cilin dyshonte se kishte lidhje intime me ish-gruan. Fillimisht ai u përlesh fizikisht me të e më pas e goditi me thikë duke e lënë të vdekur në shkallët e pallatit.
Pas italianit, Malaj u drejtua për te ish-bashkëshortja e tij, por në tentativë për të sulmuar atë, ai goditi për vdekje vajzën e tij 16-vjeçare. E reja mësohet se tentoi të mbronte nënën e saj, e cila mbeti e plagosur nga sulmi i ish-bashkëshortit të saj shqiptar. Ky i fundit u arrestua vetëm disa minuta pas ngjarjes së rëndë fare pranë pallatit ku ndodhi vrasja. Taulant Malaj rezulton të jetë me origjinë nga Selenica e Vlorës, ndërsa në shtetin italian punonte si bukëpjekës.
Ndërkohë, mediat italiane shkruajnë se pas vrasjes, autori i dyshuar i ka filmuar viktimat me telefonin e tij. Gazzetta del Mezzogiono raporton se pamjet tronditëse po qarkullojnë në disa biseda në WhatsApp. Pikërisht për këto pamjet reagoi edhe kryebashkiaku i Torremaggiore, i cili bëri apel në Facebook për të respektuar familjet e përfshira në ngjarjen e rëndë.
“Kërkoj respektin maksimal për familjet e përfshira dhe ftoj këto që ka marrë këto video apo imazhe të papërshtatshme që t’i fshijë dhe të bllokojë numrin. Respekt dhe lutje për jetët e humbura”, shkruajti Emilio Di Pumpo./tvklan.al