Vrasësi e priti mbi 1 orë Ardian Nikulajn

Disa të shoqëruar, policia heton disa pista

Vrasësi e priti biznesmenin Ardian Nikulaj për mbi 1 orë. Kamerat e sigurisë në zonën ku ndodhi vrasja e kanë fiksuar atë duke qëndruar përballë lokalit të Nikulajt, në Shëngjin.

Sapo e ka parë të ulet, i është afruar dhe ka zbrazur karikatorin e pistoletës TT. U larguar me të njëjtën motoçikletë me të cilën kishte ardhur. Gjurmët e tij arrijnë deri në Gjadër.

Policia ka kontrolluar disa banesa dhe ka shoqëruar disa persona për t’i marrë në pyetje, por dëshmitë e tyre nuk kanë qenë ndihmesë për hetuesit. Kontrolle janë kryer dhe për gjetjen e motoçikletës që përdori autori, por as ajo nuk është gjetur.

Shpresat më të mëdha mbeten te kamerat e sigurisë, por maskimi i vrasësit me maskë anti-Covid, skanfandër dhe veshja fosforeshente e bën thuajse të pamundur identifikimin e tij. Prokuroria dhe policia kanë dyshime se bëhet fjalë për një vrasës me pagesë, por deri tani nuk është përjashtuar asnjë pistë hetimore.

Viktima ishte një emër i njohur në qytetin e Lezhës, si biznesmen dhe për shkak të përfshirjes në politikë. Ai ishte anëtarë i Këshillit Bashkiak të Lezhës dhe kandidonte sërish për të njëjtin pozicion në zgjedhjet e 14 Majit, nën siglën e Partisë Socialdemokrate.

Tv Klan

Lexo gjithashtu
Total
0
Share