Komisioni Qendror Zgjedhor nuk heq dore nga kamerat e sigurise ne procesin e votimit edhe pas kerkeses se OSBE-se qe te shmangen ato. Thone se me kamera ruhet integriteti i gjithe procesit zgjedhor.
Pas thirrjes së OSBE-së që I ka bërë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të evituar kamerat në procesin e votimeve më 21 prill në katër komunat veriore të banuara me shumicë serbe KQZ ka dalë më sqarim.
Sipas zëdhënësit Valmir Elezi vendosja e kamerave në vendvotime nuk vlen vetëm për procesin e votimit më 21 prill në komunat në veri të vendit por edhe për proceset e ardhshme zgjedhore.
“KQZ sqaron se ky nuk është vendim që përfshin vetëm procesin e votimit për 21 prill, por do të vlejë edhe për proceset tjera zgjedhore. Vendosja e kamerave në vendvotime është planifikuar gjatë hartimeve të akteve nënligjore nga KQZ. Këto dhe rregulloret tjera nuk janë hartuar vetëm për procesin e votimit më 21 prill 2024, por do të vlejnë edhe proceset e tjera zgjedhore” – tha Elezi.
Sipas tij vendosja e kamerave brenda hapësirave të vendvotimit bëhet me qëllim që të sigurimit të materialeve zgjedhore dhe ruajtjes së integritetit të procesit të votimit dhe numërimit në vendvotim.
“Në ditën e zgjedhjeve në qendrat e votimit nga proceset zgjedhore nga viti 2009 deri 2021 janë evidentuar parregullsi që kanë ndikuar në integritetin, kosoton dhe besimin e publikut në zgjedhje. Nga 2009-2021 janë rinumëruar 36% e vendvotimeve . Vendosja e kamerave do të bëhet duke siguruar plotësisht fshehtësinë e votës. Ruajtja e regjistrimit të kamerave do të jetë e përkohshme deri në shkatërrimin e materialit zgjedhor që sipas ligjit bëhet brenda 60 ditëve pas certifikimit të rezultateve” – tha Valmir Elezi.
Kamerat e sigurisë do të huazohen nga Shqipëria.
Më 21 prill qytetarët e katër komunave veriore të banuara me shumicë serbe do të votojnë për shkarkimin ose jo të kryetarëve shqiptar të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit të vitit të kaluar, zgjedhje këto që I patën bojkotuar serbët.