Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, pritet të mbërrijë sot në Ankara për të zhvilluar bisedime me presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan lidhur me zhvillimet në Siri.
Siç vetë Von der Leyen shkroi në platformën X, bisedimet do të fokusohen në nevojën për të ruajtur integritetin territorial të Sirisë dhe mbrojtjen e pakicave pas rënies së ish-presidentit Bashar al-Assad në fillim të këtij muaji.
Presidentja e Komisionit Evropian ka planifikuar gjithashtu të diskutojë për ndihmën humanitare me presidentin turk.
BE-ja njoftoi javën e kaluar se planifikon të dërgojë në Turqi 100 ton ilaçe, ushqime dhe sende të tjera thelbësore për t’u shpërndarë në Siri nga agjencitë e OKB-së.
Përmbysja e regjimit sirian nga një aleancë e grupeve të armatosura islamike të udhëhequra nga Hayat Tahrir al-Sham (HTS) ka ngritur pikëpyetje në Evropë për refugjatët sirianë, ndërsa është ende e paqartë se si Brukseli do të trajtojë fuqinë e re në Damask.
Turqia dhe BE-ja presin numrin më të madh të refugjatëve sirianë në nivel global, me autoritetet turke që raportojnë rreth 3 milionë njerëz dhe shtete anëtare mbi 1 milion të cilëve u ofrohet mbrojtje ndërkombëtare.
Kreu i diplomacisë evropiane, Kaya Kalas, raportoi dje se një i dërguar është në rrugën e tij për në Damask për të rivendosur kontaktet me udhëheqjen e re.
Sipas informacioneve të Agjencisë Gjermane, bëhet fjalë për diplomatin gjerman me shumë përvojë Michael Onmacht.
Deri tani, BE-ja ka siguruar se nuk ka absolutisht asnjë kontakt me HTS, ish krahu i Al-Kaedës në Siri, një fraksion në listën e zezë të organizatave “terroriste” të hartuar në Bruksel, e cila është subjekt i një sërë sanksionesh. Kalas tha se koha do të tregojë nëse kjo masë do të hiqet. (A2 Televizion)