Von Cramon për njohjen e targave RKS nga Serbia: Hap drejt njohjes de facto

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, e ka quajtur hap drejt njohjes de facto nga Serbia, njohjen e targave RKS. Ajo ka thënë se këtë e sheh si përparim të vogël në drejtimin e duhur.

Në një intervistë për televizionin publik të Kosovës, Von Cramon ka thënë se ndihet e turpëruar që qytetarët e Kosovës kanë pritur deri në vitin 2024 për liberalizimin e vizave, pasi sipas saj, kriteret ishin përmbushur qysh më 2018.

Cramon, që të premten nisi vizitën disaditore në Kosovë, ka takuar udhëheqës institucionesh e liderë opozitarë. Pas disa takimesh ka thënë se “niveli i pjekurisë së demokracisë nuk varet vetëm tek stabiliteti i qeverisjes, por edhe te të drejtat që opozita i gëzon”.

“Në njërën anë është një gjë e mirë, ka një shumicë stabile në parlament, në anën tjetër, megjithatë niveli i pjekurisë së demokracisë nuk varet vetëm tek stabiliteti i qeverisjes por edhe të drejtat që opozita i gëzon dhe pastaj trajtimi se si ndërveprohet me opozitën dhe në këtë pikë do të thosha se gjerat do të mund të përmirësoheshin”, ka thënë ajo.

Sa i përket njohjes së Kosovës nga Serbia, ajo ka thënë se është e vështirë të parashikohet. Ajo ka thënë se duhet që të ketë presion të madh nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës që të sigurohet se ngjarje të tilla si Banjska të mos përsëriten dhe që Serbia t’i përmbushë zotimet në kuptimin e njohjes.

“Ajo çfarë duam të shohim dhe po punojmë në këtë drejtim, është pranimi i Marrëveshjes së Ohrit, dhe se qasja selektive që Serbia ka zgjedhur nuk është e pranueshme”, ka shtuar ajo.

Ndërsa, për lëvizjen e qytetarëve të Kosovës në shtetin e Serbisë me targa të Republikës së Kosovës, (RKS) Von Cramon u shpreh se e sheh si progres të vogël drejt drejtimit të duhur që nuk mjafton, por që është edhe një hap tjetër drejt njohjes defakto, duke shtuar se duhet të shkojmë deri te njohja e plotë, por që po shihet se ngadalë ka lëvizje drejt normalizimit.

Von Cramon ka shtuar se Kosova duhet ta implementojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe se pa implementimin e tij do të jetë shumë e vështirë që të ecet përpara./RTK

Lexo gjithashtu
Total
0
Share