LSDM: MICKOSKI DHE VMRO KANË GËNJYER QYTETARËT SE RREZIKOHET IDENTITETI MAQEDONAS
Edhe zëvendësministrat e BDI-së sot kanë nënshkruar dorëheqjet e kushtëzuara, të cilat do të vlenin nëse VMRO – DPMNE mbështet ndryshimet kushtetuese, pasi një gjë të tillë e bënë ditë më parë pesë ministrat e kësaj partie. Por, VMRO-ja opozitare vazhdon të mos i marrë seriozisht këto hapa të BDI-së. Sipas tyre, pas aferave për korrupsion që janë publikuar, disa prej të cilave lidhen me partinë e Ahmetit, vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
“Kushtet e vetme që janë plotësuar janë për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Pse Prokuroria Publike nuk hapi rast për Soravijën dhe frymën sipërmarrëse të të riut Ahmeti, si dhe deri ku është hetimi për parkun vozitës në fqinjësinë e Grubit!? Dorëheqjet e BDI-së janë pikërisht këto, në vend që mikrofonat të drejtohen për përgjigje të këtyre pyetjeve, të zhvillohet agjendë e rrejshme se, vetëm Kushtetuta është pengesë për Bashkimin Evropian” – tha Naum Stoilkovski.
Ndërkohë, nga LSDM sërish i kanë bërë thirrje opozitës që të mbështesin ndryshimet kushtetuese. Ato po ashtu kanë akuzuar opozitën për përhapjen e lajmeve të rrejshme sa i përket identitetit maqedonas.
“Mickoski dhe DPMNE më shumë se një vjet gënjyen qytetarët se gjoja rrezikohet gjuha, identiteti, kultura dhe veçantia maqedonase, por është fakt se ato sot janë të mbrojtura ndërkombëtarisht dhe janë konfirmuar si asnjëherë më parë. Dëshmi për këtë është propozim rezoluta në Senatin e SHBA-së, si dhe rezoluta e miratuar paraprakisht nga parlamenti gjerman” – thonë nga LSDM.
Dy liderët maqedonas, Dimitar Kovaçevski dhe Hristijan Mickoski realizuan më 07 qershor një takim tet a tet, ku u diskutua për ndryshimet kushtetuese. Kovaçevski i ofroi Mickoskit pjesëmarrje në Qeveri, në këmbim të mbështetjes për ndryshimet kushtetuese, me çka LSDM do t`ia dorëzonte 5 nga 10 pozitat e saja ministrore. Por, Mickoski tha se, do të pranonte këtë gjë, nëse në Qeveri nuk do të jetë BDI dhe nëse, ndryshimet eventuale kushtetuese të vlejnë pas anëtarësimit të vendit në BE. /KlanMacedonia/