Autoritetet në Maqedoni, sipas VMRO-së opozitare, po i hapin derën nëntokës bullgare për të hyrë në Maqedoni përmes biznesit të bixhozit, përcjell KlanM.
VMRO-DPMNE akuzon si direkt të përfshirë në këtë rast zëvendëskryeministrin Artan Grubi.
“Pushteti i BDI-së dhe LSD-së me nënshkrimim e Artan Grubit bëri të mundur që përmes partneritetit të Lotarisë Shtetërore dhe një partneri privat të hapen tre kompani të reja të lojërave të fatit. Në të njëjtën kohë, kushtet e parashikuara në shpallje krijojnë kushte që një kompani bullgare në pronësi të një anëtari të nëntokës bullgare, Vasil Bozhkov, i njohur si Kafka, të hyjë në këtë biznes në Maqedoni. Ky njeri, sipas Departamentit të Shtetit, në listën e zezë të të cilit ndodhet, është i lidhur me qarqe ruse dhe akuzohet për ryshfet ndaj zyrtarëve në Bullgari dhe rajon përmes të cilit zgjeroi perandorinë e tij të lojërave të fatit”, thonë nga VMRO.
Sipas partisë së Mickoskit, qeveria aktuale në vend të investimeve, po i ofron qytetarëve mundësi për të luajtur bixhoz e me këtë të varfërohet. Ata akuzojnë kryeministrin Kovaçevski se po hesht para, sipas tyre, këtij skandali./KlanMacedonia