KOVAÇEVSKI: ENDE NUK ËSHTË PRECIZUAR DATA E TAKIMIT ME MICKOSKIN
Komiteti Ekzekutiv i VMRO – DPMNE-së ka autorizuar liderin e partisë që të zgjedh personat që do të jenë pjesë e qeverisë teknike. Megjithatë, kryeministri Dimitar Kovaçevski deklaroi se ende nuk është precizuar data e takimit me liderin e opozitës maqedonase, Hristijan Mickoskit dhe sa se propozimet e VMRO-së sa i përket anëtarëve në qeverinë teknike, nuk do të jenë temë e takimit mes dy liderëve.
“Ne nuk mund të takohemi për zgjidhje kadrovike, sepse çdo parti politike i jep zgjidhjet kadrovike në qeverinë teknike apo çfarëdo qeverie tjetër. Kjo qeveri është koalicionuese në formën dhe thelbin e saj në të cilën do të marrë pjesë edhe opozita me resorë të përcaktuara saktë sipas ligjit për zgjedhje dhe ligjit për qeveri” – tha Dimitar Kovaçevski.
Ai më tej shtoi se, pret që VMRO të propozojë kandidatë e saj për anëtarë të Qeverisë teknike, e më pas të takohen për të diskutuar për tema të tjera rreth zgjedhjeve.
“Ata duhet t’i kumtojnë kandidatët e tyre dhe t’ia dorëzojnë Qeverisë dhe Kuvendit më vonë, që të mund të zgjgjedhen, ashtu siç është vendosur procedura, ndërsa gjithsesi se do të takohemi që të bisedojmë rreth elementeve të tjera për zgjedhjet” – tha Dimitar Kovaçevski.
Komiteti Ekzekutiv i VMRO-DPMNE-së në takimin e mbrëmshëm solli vendim që partia të jetë pjesë e Qeverisë teknike dhe autorizoi Mickiskin që t’i zgjedhë personat që do të jenë pjesë e qeverisë teknike. Megjithatë nga VMRO thanë se nuk do të mbështesin me votë zgjedhjen e Talat Xhaferit për kryeministër teknik.
Qeveria teknike duhet të votohet më 28 janar, pas çka edhe fillon rrjedha e afateve ligjore për zgjedhjet parlamentare, të cilat do të mbahen më 8 maj, së bashku me rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. /KlanMacedonia/